Vrasja monstruoze e Arlinda Zekajt, nga kunati i saj, ka tronditur tërë vendin. Shqetësimet për dhunën ndaj grave, atë në familje, mosreagimin e policisë, e (mos)funksionimin e sistemit gjyqësor, nxitën reagimin e qytetarë të vendit duke i bërë ata të dalin në rrugë për të protestuar. Kësisoj, ata kërkuan që përveç llogaridhënies e përgjegjësisë nga zinxhiri komandues në polici, prokurori e gjykata në Pejë, të ketë edhe dorëheqje apo shkarkime nga ana e Qeverisë. Këtu, vëmendja u drejtua tek Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, e cila mban këtë pozitë nga pranvera e këtij viti, dhe, ai i Brendshëm, Xhelal Sveçla, i cili është në krye të kësaj pozite qe nga viti 2021.
Megjithatë, këta dy të fundit, si Gërvalla, po ashtu edhe Sveçla, nuk e ndajnë të njëjtin mendim me protestuesit. Të dy ata, nuk e bëjnë përgjegjëse qeverinë.
Vetë Sveçla, i pyetur se a ka dështuar Qeveria në këtë rast, e mohoi një gjë të tillë, madje, duke akuzuar gazetarët që kanë ‘’iluzione’’.
‘’Kush Qeveria? A po m’tregon cila është përgjegjësia e Qeverisë? Nëse prisni që i gjithë sistemi nuk do të ketë vështirësi në qeverisje, atëherë keni iluzione më vjen keq”, tha Sveçla sot.
Ndërsa Gërvalla, duke refuzuar dorëheqjen, kërkoi nga gazetarët që t’i ‘’lejojnë’’ ata që ta ‘’bëjnë punën’’ e tyre.
“Po të konsideroja që dorëheqja do të ishte mekanizmi për të cilin do të kontribuonim për një identifikim më të saktë më të shpejtë dhe më të thellë të përgjegjësive për veprim dhe mosveprim, unë do kisha dhënë dorëheqje. Unë mendoj që pikërisht e kundërta është. Qytetari i Republikës së Kosovës e din që unë gjithë jetën time politike jam në anën e viktimave, me një kosto të lartë publike. Unë ju siguroj që viktimat e dhunës në familje aleatin më të fuqishëm sot e kanë te koordinatorja kombëtare, na lejoni të bëjmë punën tonë na lejoni që të kujdesemi që të vihen në pah të identifikohen dhe të adresohen përgjegjësitë dhe atëherë e diskutojmë përsëri çështjen e dorëheqjeve”, tha ajo.
Përveç që refuzoi dorëheqjen, Gërvalla mohoi edhe se protestuesit ‘janë kundër’’ saj dhe Sveçlës, duke aluduar ‘’përveç individëve veç e veç’’, pavarësisht kërkesave që bëhen për dorëheqjen e saj.
“Ju thatë një gjë shumë të pavërtetë. Ju thatë që protestuesit janë kundër nesh. Jo zotëri, protestuesit janë me Arlindën. Nuk janë kundër nesh. Përveç individëve veç e veç që edhe ky rast tragjik të politizohet skajshëm. Mirëpo, s’janë kundër nesh. Ata kërkojnë përgjegjësi nga ne. Folja në emër të njerëzve janë jashtë nuk i kontribuon kësaj”, tha tutje ajo.
Dorëheqjen e Gërvallës dhe të veten, e refuzoi edhe Sveçla. Ky i fundit tha se një veprim i tillë, sipas tij, nuk do ‘’kontribuonte në fuqizimin e gruas’’.
“Para 10 vitesh kam dhënë dorëheqje nga pozita… pa pasë kurrfarë përgjegjësie për rastin e atëhershëm, duke menduar se dorëheqja ime do të kontribuonte në përmirësimin e praktikave në atë fushë, tash unë nuk mendoj se dorëheqja jonë do të kontribuonte në fuqizimin e gruas, në të drejtat e saj se ne jemi të angazhuar qind për qind në atë pikë”, deklaroi ai.
Por ndryshe nga ministrat, mendon Ehat Miftaraj nga IKD. Ky i fundit, pavarësisht deklarimeve të tyre, ka thënë se Sveçla e Gërvalla nuk mund t’i ikin përgjegjësisë institucionale e morale.
Miftaraj, ka kërkuar nga ministrat që, të ‘’paktën para dhimbjes së familjeve’’, të tregojnë dinjitet, empati, përgjegjësi, duke shtuar se, ‘’dorëheqja në këto raste nuk ka alternativë’’.
‘‘Ministrja Donika Gërvalla dhe ministri Xhelal Sveçla munden me derdh lot krokodili, me aktru para dy milionë shtetasve te Kosoves, t’i akuzojnë dhe mallkojne të tjerët për të mbuluar dështimet e veta dhe të përpiqen t’i shmangen përgjegjësisë institucionale. Munden me keqperdor objektin e qeverise dhe ne konference per media te sillen sikur kanë harruar se shteti dhe institucionet që kanë për detyrë të mbrojnë jetën e qytetarëve drejtohen pikërisht prej tyre. Munden me kerku përgjegjësi nga të gjithë, përveç vetes. Mund të përdorin çdo arsyetim politik për të shmangur llogaridhënien dhe ndjenjen e fajit per jeten e humbur te Arlindes. Por ka diçka prej së cilës nuk mund të ikin: nga përgjegjësia institucionale, pergjegjesia morale, nga mungesa e empatisë dhe nga turpi që do t’i përcjellë sa herë të kujtohen jetët e grave që shteti qe ata e udheheqin vret grate. Sepse pushteti nuk është vetëm privilegj. Është përgjegjësi. Dhe kur je në krye të shtetit, nuk mund të sillesh njëkohësisht si pushtet dhe si opozitë ndaj dështimeve të institucioneve që drejton. Të paktën para dhimbjes së familjeve që kanë humbur më të dashurat e tyre, tregoni pak dinjitet, empati dhe përgjegjësi dhe doreheqja ne keto raste nuk ka alternative’’, ka shkruar Miftaraj.
Ndryshe, lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt, dje u bë e ditur se janë suspenduar 11 zyrtarë policorë. Megjithatë, protestuesit dhe zëra të shumtë kanë kërkuar edhe dorëheqjen e Sveçlës dhe Gërvalles.

