Kapiteni i Policisë së Kosovës, Fatmir Balaj, e ka cilësuar si keqkuptim kërkesën që zyrtaret policore të gjinisë femërore t’i dorëzojnë kapelat e uniformës, në mënyrë që ato t’i huazohen gjeneratës së 63-të të kadetëve deri në diplomimin e saj.
Duke komentuar këtë çështje në Debat Plus, Balaj nuk ka dhënë detaje të tjera lidhur me kërkesën, por ka udhëzuar që informacionet të kërkohen nga Zyra për Informim e Policisë së Kosovës.
“Është një keqkuptim. Për çdo gjë që keni për t’u informuar, Policia e posedon Zyrën e Mediave, informohuni atje”, ka thënë Balaj.
Sipas një komunikimi të brendshëm të siguruar nga Vox Kosova, drejtorëve të drejtorive dhe shefave të njësive policore u është kërkuar që t’i njoftojnë zyrtaret policore për dorëzimin e kapelave.

Kërkesa ishte që kapelat të grumbulloheshin nga drejtoritë dhe njësitë, përfshirë edhe rajonet, dhe më pas t’i dorëzoheshin Drejtorisë së Logjistikës së Policisë së Kosovës.
Në një komunikim tjetër të siguruar nga ky medium, zyrtarëve të një njësie policore u ishte bërë e ditur se kapelat do t’i huazoheshin gjeneratës së 63-të deri në diplomimin e saj, pas së cilit pritej t’u ktheheshin pronareve.
Raportimi për huazimin e kapelave vjen pas shtyrjes së ceremonisë së diplomimit të kësaj gjenerate, e cila ishte paraparë të mbahej më 30 tetor. Kadetët janë njoftuar se ceremonia është shtyrë deri më 6 nëntor, për shkak të mungesës së uniformave dhe pajisjeve të nevojshme

