Bashkimi Europian kritikon se Kosova ende nuk ka një kornizë gjithëpërfshirëse strategjike për luftimin e korrupsionit dhe se i mungon një qasje koherente për forcimin e përpjekjeve kundër kësaj dukurie.
Në Raportin e Progresit për Kosovën, Komisioni Europian konstaton se vendi ka shënuar përparim të kufizuar në këtë fushë.
Sipas raportit, Kosova ndodhet ndërmjet një faze të hershme të përgatitjes dhe një niveli të caktuar të përgatitjes në luftën kundër korrupsionit.
Komisioni vë në dukje se ndonëse në rastet e korrupsionit që nuk përfshijnë zyrtarë të nivelit të lartë është rritur ndjeshëm numri i vendimeve përfundimtare gjyqësore dhe i dënimeve, në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë është shënuar rënie.
Komisioni Europian vlerëson gjithashtu se shumica e institucioneve publike i kanë dorëzuar me kohë planet e integritetit, por zbatimi i tyre duhet të jetë më efektiv. Ndërkohë, Kosova ka vazhduar vlerësimin e rreziqeve në sektorët veçanërisht të ekspozuar ndaj korrupsionit.
Në raport theksohet se Ligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve është në përputhje me legjislacionin më të fundit të Bashkimit Europian në këtë fushë. Po ashtu, numri i raportimeve përmes sinjalizuesve të pranuara nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) është rritur ndjeshëm, duke u dyfishuar pothuajse krahasuar me vitin e kaluar. Kjo, sipas Komisionit, tregon një prirje më të madhe për raportimin e praktikave korruptive.
APK-ja ka dëshmuar qasje proaktive dhe ka përcjellë në mënyrë të kënaqshme rastet e referuara te autoritetet e tjera kompetente për veprime të mëtejshme. Megjithatë, ndonëse ka menaxhuar me sukses dorëzimin dhe regjistrimin e deklarimeve të pasurisë, Agjencia duhet të forcojë kontrollin dhe verifikimin efektiv të tyre.
Ndërkohë, ay thuhet se rekomandimet e Komisionit Europian të vitit të kaluar janë zbatuar pjesërisht dhe mbeten kryesisht të vlefshme.
Gjatë vitit të ardhshëm, Kosova duhet:
– të përmirësojë parandalimin dhe zbulimin e korrupsionit duke rritur më tej kapacitetet e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit në aspektin e personelit dhe ekspertizës, si dhe duke siguruar që institucionet publike të miratojnë planet e integritetit dhe t’i zbatojnë ato plotësisht, përfshirë përmes mekanizmave të përshtatshëm të raportimit;
– të sigurojë zbatimin e legjislacionit ekzistues kundër korrupsionit dhe të miratojë një strategji kombëtare dhe plan veprimi kundër korrupsionit për periudhën 2026–2028, në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira europiane;
– të forcojë përpjekjet për përmirësimin e cilësisë së hetimeve në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë, të rrisë kapacitetet e Njësisë së Veçantë Hetimore të Policisë dhe të sigurojë bashkëpunimin e saj efektiv me Prokurorinë Speciale.

