Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, e ftuar mbrëmë në Pressing në T7, ka kritikuar qeverinë e vendit lidhur me buxhetin për vitin 2027.
Bajrami, ka thënë se vetë qeveria ka paraparë që inflacioni në vitin 2027 të jetë 4%, ndërsa rritja e buxhetit krahasuar atë të 2026 me 2027 është 4.9%, ku nëse i hiqet kësaj të fundit norma e inflacionit prej 4%, atëherë del, siç ka thënë Bajrami, që rritja e buxhetit është vetëm 0.9%.
‘’Në dokumentin e buxhetit, këta vetë, qeveria e Republikës së Kosovës, ka paraparë që inflacioni në vitin 2027 do të jetë 4%, për vitin e ardhshëm, parashikimet e tyre janë, këta kanë pas një pas një parashikim shumë më të ulët edhe për vitin 2026, por na sot inflacionin e kem 7.8%. Rritja e buxhetit në përqindje është 4.9%, nëse e krahasojmë vitin 2026 me vitin 2027, mirëpo kur ia hjek normën e inflacionit prej 4%, a e din sa mbetet rritja prej 2026 deri në 2027, është 0.9%. Kaq e ka Kurti sipas parashikimit të inflacionit që vetë qeveria e ka bë’’, ka thënë Bajrami mes tjerash.
Deputetja e LDK’së, ka shtuar edhe se, i tërë buxheti është i ‘’bazuar në konsum dhe import’’.
‘’Mirëpo atë që e thash, është buxhet komplet i bazuar në konsum, në import. Sepse prej 4 miliardë të hyra sa i ka paraparë pjesa tjetër është e financuar me kredi, të jashtme dhe të brendshme, por 4 miliardë sa janë të hyra të rregullta të buxhetit, 2 miliardë i kanë paraparë që t’i marrin nga tatimi mbi vlerën e shtuar. Dhe po e ka rritë buxhetin… sepse e merr prej secilit qytetar të Republikës së Kosovës, sa herë që ndonjëri prej nesh e blen një produkt, qoftë ai produkt i veshmbathjes, i ushqimit, i mobiles, çka do’’, ka vijuar më tej ajo.
Bajrami, ka kritikuar qeverinë edhe lidhur me çmimet e naftës, duke thënë se Kosova është i ‘’vetmi vend’’ në rajon dhe Evropë që ‘’nuk ka ndërmarrë’’ as ndryshim të masave fiskale lidhur me çmimet e karburanteve.
‘’Ne e kemi normën e tatimit mbi vlerën e shtuar 18%, dhe sa herë që blen diçka ne me taksat tona, ne paguajmë sot tatim mbi vlerën e shtuar në litrën e naftës e cila ka arritur 2 euro, jemi vendi i vetëm në Evropë dhe në rajon, që nuk kemi ndërmarrë asnjë ndryshim të masave fiskale sa i përket çmimit të karburanteve’’, ka vijuar tutje deputetja e LDK’së

