Shefi i misionit të EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano deklaron se situata e sigurisë në vend është e brishtë dhe se ka shqetësime për tensione të mundshme.
Sipas tij, agresioni në Banjskë dëshmoi brishtësinë dhe cenueshmërinë e vendit, për çka shprehet se duhet të ketë edhe vëmendje të veçantë nga institucionet. Misioni i EULEX-it pret nga Serbia që të mbajë përgjegjës ata që kryen agresionin në Banjskë
Në intervistën për KosovaPress, Barbano flet edhe për iniciativën e hapjes së Urës së Ibrit, për çka konsideron se ka implikime serioze në siguri.
“Situata e përgjithshme në Kosovë është e qetë, por e brishtë, veçanërisht në veri, kemi disa shqetësime për shfaqjen e vazhdueshme të krizës dhe arsyet e mundshme për tensione. Dhe siç tha edhe përfaqësuesi i lartë dhe nënkryetari i Komisionit Evropian, z. Borrell, është koha që të ndalet ky cikël, ky rreth vicioz krizash dhe tensionesh. Tani është koha që të ndërtohet mbi institucionet, të vazhdohet angazhimi dhe të punohet në dialog, dhe të shkohet në qëllimet e ndryshme të dialogut, duke përfshirë themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe
Në këtë, ne vazhdimisht jemi të angazhuar në monitorimin e situatës, parandalimin e krizave të mundshme, dhe duke punuar në bashkëpunim të ngushtë me akterët e tjerë në atë që quhet teknikisht, sistemi i sigurisë tre shtresash në Kosovë, ku reaguesi i parë i sigurisë është Policia e Kosovës, reaguesi i dytë i sigurisë është EULEX-i, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, dhe i treti është KFOR-i”, deklaron ai.
Vëmendje të veçantë, shton ai, duhet të ketë Banjska e Zveçanit. Shefi i misionit të EULEX-it, thotë se janë duke bërë patrullime në veri të vendit, gjithashtu se janë të gatshëm të reagojnë me kërkesë të autoriteteve të Kosovës.
“Banjska e ka dëshmuar brishtësinë dhe cenueshmërinë e kësaj zone. Dhe kështu, kjo zonë kërkon vëmendje të veçantë. Ne jemi vigjilentë për të parandaluar çdo kthim, çdo rikthim të mundshëm të dhunës, përmes pranisë sonë, vigjilente dhe të dukshme. Ne po kryejmë patrullime 24/7 në veri me formën tonë në njësinë policore dhe jemi të gatshëm të reagojmë me kërkesë të autoriteteve të Kosovës, përkatësisht të Policisë së Kosovës, si reagues i dytë i sigurisë me forcën tonë të reagimit të shpejtë për të adresuar trazirat e mundshme civile”, shton ai për KosovaPress
Teksa komenton agresionin serb në Banjskë të Zveçanit, shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano pret që Serbia të mbajë përgjegjës ata që kryen agresionin.
“Ne presim që Serbia të ushtrojë fuqinë e saj për të mbajtur përgjegjës ata që kryen këtë sulm. Ne gjithashtu duhet të kemi parasysh që të rrisim ndërgjegjësimin dhe vigjilencën tonë për të parandaluar që një sulm i tillë të mund të përsëritet. Dhe jo vetëm EULEX-i, por të gjitha institucionet e tjera të sigurisë. Nuk mund të flas se çfarë po bën KFOR-i, për të parandaluar një sulm të tillë, por është e qartë se Kosova ka përforcuar praninë dhe kapacitetet e saj përgjatë kufirit
Por edhe Serbia duhet të bëjë të pamundurën për të parandaluar që një dukuri e tillë të përsëritet. Dhe nëse diçka do të përsëritej, kjo do të thotë se me shumë gjasa, institucionet në Serbi, institucioni i sigurisë në Serbi nuk kishte arritur të parandalonte një sulm si ky. Pra, përsëri, një sulm mund të jetë i mundur, por ne e shohim atë si një mundësi shumë të rrallë për të ndodhur…11:12….Autorët e sulmit në Banjskë duhet t’i nënshtrohen drejtësisë. Dhe kjo bëhet përmes institucioneve përkatëse dhe autoriteteve përkatëse”, thekson ai.
Ai nuk komenton deklarimet e institucioneve vendore për baza ushtarake të Serbisë në kufi me Kosovën, veçse shton se kjo i përket KFOR-it.
Situatë fatkeqe e konsideron bojkotin e serbëve në katër komunat në veri të vendit në procesin zgjedhor për shkarkimin apo jo të kryetarëve
“Kjo është një situatë shumë fatkeqe, na vjen keq që qytetarët serbë të Kosovës humbën mundësinë për të ushtruar të drejtat e tyre, duke larguar kryetarët e komunave të cilët u zgjodhën me një mbështetje shumë të vogël të votuesve dhe në zgjedhjen e kryetarëve të rinj dhe institucioneve të reja që pasqyrojnë vërtetë përbërjen e popullsisë në veri. Ushtrimi i votës është një e drejtë parësore e qytetarëve. Duke mos e ushtruar (këtë të drejtë), e drejta e votës po lë një vakum, një boshllëk që më pas provokon uljen e të drejtave të të njëjtëve qytetarë. Pra, është diçka në të cilën ne prisnim një pjesëmarrje më të madhe”, thotë ai.
Barbano deklaron se janë në kontakt të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë, ani pse respektojnë pavarësinë e institucioneve të Kosovës
“Ne jemi vazhdimisht në kontakt me institucionet e sigurisë. Pas marrëveshjes së Bratislavës, ne kemi edhe takime periodike për të vlerësuar situatën e sigurisë në veri, me praninë e KFOR-it dhe me pjesëmarrjen e KFOR-it, kur është e nevojshme. Ne kemi këtë shkëmbim të vazhdueshëm informacioni dhe monitorojmë aktivitetet e tyre. Megjithatë, duke e bërë këtë, ne vazhdimisht e respektojmë pavarësinë e institucioneve të Kosovës dhe i përmbahemi parimit të mosndërhyrjes.
Kjo do të thotë se kur ata janë duke kryer operacione që bazohen në hetimin e tyre, pra nevojat e tyre për të zbatuar ligjin, ne pritet të marrim informacion dhe njoftim për aktivitetet në vazhdim, jo një konsultim. Sepse ne nuk mbajmë më mandat ekzekutiv. Pra, ne duhet të jemi të informuar për të dhënë mendimin tonë për situatën dhe për të na lejuar të fillojmë veprimet tona për të monitoruar aktivitetet në terren. Në këtë fushë ka vend për përmirësim, sigurisht që koordinimi, bashkëpunimi me Policinë e Kosovës po përmirësohet dita-ditës, por ka ende vend për përmirësim në mënyrë që të bëhet njoftimi i duhur dhe paraprak i operacioneve me misionin dhe reagues të tjerë të sigurisë në zonë”, shprehet ai
Iniciativa për hapjen e Urës së Ibrit në Mitrovicë, ai deklaron se duhet të trajtohet në kuadër të dialogut.
“Kjo është diçka që duhet trajtuar në kuadër të dialogut, natyrisht, është një aspekt për të cilin ne jemi të shqetësuar sepse mund të ketë implikime serioze në siguri. Dhe ne presim që mençuria të përdoret në këtë drejtim”, deklaron ai shkurt.
Në intervistën për KosovaPress, shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Barbano thotë se ka përmirësim dhe zhvillim në institucionet e drejtësisë.
“Jemi duke i mbështetur aktivitetet e kryera nga Instituti i Mjekësisë Ligjore. Ne jemi të shqetësuar nga gjendja e keqe e infrastrukturës dhe po fillojmë një program për të dhuruar kontejnerë për të ndihmuar IML-në të ofrojë më mirë në këtë periudhë kalimtare. Jemi të lumtur, le të themi për zhvillimet, ka ende shumë për të bërë, shumë aspekte duhen trajtuar veçanërisht në hartimin e rregullave për zbatimin e legjislacionit ekzistues, apo në shkrimin e procedurave
Këtë po e bëjmë jo vetëm duke mbështetur sistemin korrektues të Kosovës, por edhe sistemin sprovues të Kosovës, ku jemi plotësisht të angazhuar me ta për hartimin e kësaj rregulloreje, si dhe kemi monitoruar aktivitetet e kryera në kuadër të të ashtuquajturës Deklarata e Përbashkët e angazhimit për hartimin e ligjeve të reja në fushën e rrugëtimit të karrierës, rekrutimit dhe zhvillimit të akterëve të drejtësisë dhe prokurorisë. E shohim me shqetësim se ky sistem tani po përballet me vështirësi dhe presim një riangazhim të mundshëm të të gjithë akterëve në këtë mekanizëm. Dhe ne jemi disi të brengosur”, përfundon ai. /KP/