Kryetarja e “Guxo”, Donika Gërvalla që është në koalicion qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje, i ka reaguar nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Gazmend Muhaxherit.
Kjo pasi Muhaxheri kishte shprehur dyshime për gjetjen e armëve nga Policia e Kosovës në veri. Ndërkaq, më parë kishte thënë “Qeveria Kurti po vepron sikur regjimi i Millosheviqit ndaj shqiptarëve”.
Sipas Gërvallës këto deklarata janë skandaloze. Por, ky subjekt politik i udhëhequr nga Gërvalla shton se “LDK-ja përmes heshtjes po i miraton këto deklarata”.
“Për më tepër partia e tij, LDK, këtë e kaloi në heshtje. Kjo heshtje e LDK, për këtë deklaratë të papranueshme të nënkryetarit të vet, s’ka se si të lexohet ndryshe vetëm se si tumirje e qëndrimeve të Muhaxherit, të cilat janë në kundërshtim të plotë me të vërtetën, bien ndesh me ligjet e vendit dhe me përcaktimet politike dhe interesat e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Qëndrimet e tilla bien ndesh edhe me të gjitha qëndrimet e bashkësisë ndërkombëtare, e cila për shkak të krimeve gjenocidale të Serbisë kundër shqiptarëve në Kosovë, ndërmori fushatën e bombardimeve të caqeve ushtarake dhe policore serbe në Kosovë dhe Serbi, gjë që çoi në çlirimin përfundimtar dhe më pas edhe në pavarësinë e Kosovës”, ka shkruar ndër tjerash Gërvalla.