Vogel: Dialogu Kosovë-Serbi në gjendje të keqe, takimi Kurti e Vuçiq përformancë

by Merita

Toby Vogel, ekspert i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE) nga Këshilli i Politikave të Demokratizimit (DPC) në Bruksel të Belgjikës, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të martën, ka thënë se procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën kujdesin e BE-së për një kohë të gjatë shërben si forum për menaxhimin e krizave.

“Dialogu ka qenë në gjendje të keqe për një kohë të gjatë, duke shërbyer vetëm si një forum për menaxhimin e krizave të prodhuara”, ka shkruar Vogel, duke komentuar deklaratën e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, i cili ka thënë të hënën se nuk do të dorëzohet derisa Kosova dhe Serbia të arrijnë zgjidhje operative.

banner

Ndryshe, shefi i diplomacisë evropiane dhe emisari i posaçëm, Mirosllav Lajçak, do të presin të mërkurën një raund të ri të negociatave ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në përpjekje për të çuar përpara procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve dhe zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese.

Vogel e ka cilësuar “përformancë” të BE-së thirrjen e këtij takimi: “Ky takim është ushtrim për të ndërtuar një trashëgimi dhe për të lejuar Borrellin e Lajçakun të deklarojnë se procesi vazhdon dhe jep rezultate. Vuçiçi dhe Kurti do të marrin broshura të Planit të Rritjes dhe lavdërime nga BE – thjesht performancë”.

Kosova dhe Serbia supozohet se arritën një marrëveshje për rrugën drejt normalizimin e marrëdhënieve në fillim të vitit të kaluar. Por, përkundër insistimit të diplomatëve evropianë se marrëveshja është ligjërisht e detyrueshme, ata nuk kanë arritur t’i bindin palët që ta zbatojnë të njëjtën.

Për këtë arsye, por edhe për shkak të potencialit shpërthyes të tensioneve në pjesën veriore të Kosovës, pas më shumë se 10 muaj pa takim të nivelit të lartë në kuadër të procesit të dialogut, kryeministri kosovar dhe presidenti serb pritet të takohen të mërkurën në kryeqendrën evropiane për t’i vazhduar negociatat nën ndërmjetësimin e Borrellit e Lajçakut.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy