Takimi Kurti-Vuçiq, shihet si manovër e BE-së për blerje kohe

by Nexhat

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me fokus të veçantë takimi i nesërm mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Bruksel ishte temë diskutimi në emisionin “RTK Prime”.

Ky takim me ftesë të Shefit për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell vjen pas një periudhe të gjatë pa takime të nivelit të tillë.

banner

Mustafa: Si Serbia ashtu edhe Kosova në pritje, të painteresuara për zgjidhje

Profesori Artan Mustafa vuri në dukje se çështja e demarkacionit të kufirit mbetet një nga pengesat kryesore në procesin e dialogut mes dy vendeve, derisa theksoi se si duket të dyja palët janë në një pozicion të pritjes dhe të painteresuara për zgjidhje.

“Është e vështirë të parashikohet se  çfarë do të ndodhë konkretisht në këtë takim pasi u bë një kohë e gjatë që nuk ishte takime të nivelit të tillë. Vetë një fotografi e takimit mes kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë tregon se ende ka diçka të rëndësishme që nuk është zgjidhur. E ajo që nuk është zgjidhur është delimitimi i kufirit, por si duket jemi larg prej atij momenti. Ajo që kemi parë prej deklaratave të dy qeverive ekziston një pozicion i pritjes prej të dyja palëve”, ka theksuar Mustafa.

Sipas tij nga perspektiva e Serbisë, si duket ka pritje për ndonjë ndryshim gjeopolitik si pasojë e luftës në Ukrainë. “Ndoshta ka pritje që disa prej këtyre forcave të mëdha botërore si Rusia e Kina ende do të vazhdojnë të forcohen dhe në anën tjetër pritje që do të ketë edhe diçka nga zgjedhjet në SHBA. Thjesht nga perspektiva e Serbisë nuk ka shumë presion se duhet të zgjidhet problemi me Kosovën, ata fitojnë nga kjo pazgjidhje”, ka shtuar ai.

Nga ana tjetër, sipas tij, edhe nga ana e Kosovës duket se ka një strategji të qartë se edhe nëse ka takime dhe madje edhe marrëveshje, të mos zbatohet asgjë.

“Për shkak se edhe Kosova nuk është e kënaqur me marrëveshjet dhe me këtë gjendje të bisedimeve, pasi është shumë e qartë se në qoftë se do të zbatohet ky draft-statuti që është i propozuar prej BE-së atëherë kjo do të krijonte autonominë më të gjerë në Evropë, me elemente politike, territoriale, kulturore etj. dhe do t’i jepte kahje tjetër shtetndërtimit të deritashëm të Kosovës. Kështu që ka  çdo arsye edhe prej Kosovës për të manovruar me kohën dhe të përpiqet të gjejë një zgjidhje që do të ishte më e favorshme”, ka theksuar Mustafa.

Luzha: Takim simbolik dhe lamtumirës me Borrellin

Analistja Besa Luzha shprehu habinë e saj për pranimin e takimit nga ana e Kurtit, duke theksuar se nuk ka ndonjë motiv të vlefshëm në horizont.

“Ky takim është pak a shumë edhe i  çuditshëm sepse kur nuk u ndërmor një iniciativë shumë më e fuqishme për të pasur një takim ose zgjidhe të mundshme pikërisht para votimit për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, që ishte si me thënë piku i situatës në raport me dialogun dhe kur atëherë nuk pati një shtytje të madhe për një takim të mundshëm që mund të kishte ndonjë zgjidhje, tash nuk ka diçka në horizont që do të kishte një motiv që do të ishte shumë i vlefshëm për të dyja palët. Madje unë jam e habitur që Kurti ka pranuar takimin”, tha Luzha.

Ajo tutje theksoi se përkushtimi i institucioneve tona ndaj dialogut duhet të jetë, porse prej sulmit në Banjska nuk ka pasur takim direkt në mes liderëve dhe një refuzim i këtij takimi sipas saj do të ishte i arsyeshëm.

“Në një farë mënyre është e drejt kur ti e bën përgjegjës presidentin Vuçiq për gjithë atë që ka ndodhur në Banjskë. Në një far mënyre është shumë e vështirë të takohesh me dikë që e ka urdhëruar atë sulm. Ndoshta është takimi i fundit me prezencën e Borrellit dhe Lajçakit dhe ndoshta ky është takim simbolik dhe lamtumirës”, ka shtuar ajo.  

Koci: Takimi Kurti-Vuçiq manovër e BE-së për ndarjen e mjeteve për Kosovën e Serbinë nga Plani i Rritjes 

Megjithatë, për politologun Melazim Koci ky takim ka një agjendë shumë të qartë dhe çfarë synohet të arrihet.

“Vetë fakti që befas dhe pa pritur është thirrur ky takim, ka një synim. Mendoj se ka të bëjë me Planin e Rritjes të BE-së në vlerë 6 miliardë euro për Ballkanin Perëndimor. Zyrtarët e BE-së e kanë pohuar se pa avancim në dialogun Kosovë – Serbi, këto dy vende nuk mund të përfshihen të marrin pjesën e tyre. Me sa e di për Serbinë janë ndarë 2 miliardë e gjysmë nëse kualifikohet”, ka theksuar Koci.

Sipas tij, ky takim është pikërisht në funksion të krijimit të parakushteve fiktive nga ana e BE-së për ndarjen e këtyre mjeteve, por edhe për heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës.

“Supozoj se pas takimit mund të ketë ndonjë koncesion nga njëra ose pala tjetër, krejt i parëndësishëm, në mënyrë që zyrtarët e BE-së të thonë se Kosova dhe Serbia, pavarësisht se nuk ka ecje të madhe drejt jetësimit të marrëveshjes, kanë disponim për ecje përpara dhe kjo mjafton që ato të kualifikohen për Planin e Rritjes”, tha ai.

Përveç sanksioneve që do t’i hiqeshin, sipas Kocit, Kosova do të merrte edhe një shumë të dedikuar nga Plani i Rritjes.

“Ky është qëllimi i këtij takimi sepse nuk ka asnjë prononcim nga SHBA, pra është manovrim i BE-së për t’u ndarë mjete të caktuara Kosovës dhe Serbisë dhe për të blerë kohë. Është blerje e ‘status-quos’ dhe e paqes deri në përfundim të procesit të zgjedhjeve presidenciale në SHBA dhe deri në kompletim të administratës së re të BE-së”, ka vlerësuar Koci

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy