Si rrodhën paratë për pishinën e zbrazët në Leposaviq?

by Nexhat

Tenderët për pishinën olimpike në Leposaviq po gjykohen si krim i organizuar. Të përfshirë janë zyrtarë e biznesmenë serbë e shqiptarë.

Në një skaj të gropës së betonuar në formën e pishinës, brektosa të vogla notojnë në ujin që është grumbulluar nga reshjet e shiut

banner

Kjo pishinë ishte pjesë e një projekti të dizajnuar në vitin 2006, për qytetarët e komunës së Leposaviqit në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Në atë kohë, Kosova ende nuk e kishte deklaruar pavarësinë nga Serbia dhe organet komunale në zona me shumicë serbe i përgjigjeshin qeverisë së atij shteti

Në vitin 2013, Leposaviqi – sikurse disa komuna tjera me shumicë serbe – kishte themeluar institucione në bazë të ligjeve të Kosovës dhe mbajti zgjedhjet komunale që i fitoi Dragan Jabllanoviq.

Atëkohë ai i takonte partisë Lista Serbe, që është partia më e madhe përfaqësuese e serbëve të Kosovës, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit.

Nën udhëheqjen e tij, në vitin 2015, nisën punët për ndërtimin e pishinës.

Projektin për ndërtimin e pishinës e kishte marrë përsipër kompania “Projektuesi” e regjistruar në Prishtinë, por pishinës iu ndërtua vetëm konstrukti i betonit.

Edhe pse pishina nuk ishte funksionalizuar, më 2016 Komuna e Leposaviqit kishte ndarë një tender tjetër që ka të bëjë me filtrimin e ujit për pishinën.

Këtë kontratë e fituan konsorciumi i kompanive “Eurometal” nga Ferizaj dhe “Kruzni Tok” nga Zveçani.

Të dy këto kontrata tani janë pjesë e një aktakuze të gjerë për krim të organizuar ndaj 15 personave, ku përfshihet ish-kryetari i Leposaviqit, Jabllanoviq, si dhe pronarët e këtyre bizneseve.

Aktakuza që u ngrit në vitin 2021 është ende në gjykim. Ajo trajton disa kontrata me vlera milionëshe në komunën e Leposaviqit në vitet 2015- 2017, ndërkaq të akuzuar janë zyrtarë komunalë serbë e shqiptarë dhe biznesmenë.

Pse nuk u ndërtua pishina?

Sipas dokumenteve që Radio Evropa e Lirë i ka siguruar nga Komuna e Leposaviqit, vlera e projektit për ndërtimin e pishinës olimpike në Leposaviq ishte 850 mijë euro.

Projekti ishte nisur me një memorandum bashkëpunimi të vitit 2015 me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës (MKRS), i cili nuk është publik.

MKRS-ja nuk u është përgjigjur pyetjeve të REL-it lidhur me projektin.

Në anën tjetër, Xhemail Ferizi, pronar i kompanisë “Projektuesi” ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se ka pasur kontratë për ndërtimin e pishinës. Fajin për mosndërtimin e pishinës ai ia lë Komunës.

“Ata (Komuna e Leposaviqit) nuk kanë pasur para më shumë dhe ka mbetur ashtu. Unë e kam kontratën për shumë projekte aty (në Leposaviq)”, tha ai.

Ferizi nuk ka dhënë detaje të tjera dhe nuk u është përgjigjur pyetjeve shtesë lidhur me këtë projekt deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale ai akuzohet për veprën penale “Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar, si dhe keqpërdorim i autorizimeve ekonomike”.

Në aktakuzë përshkruhet se ai ishte ndër fituesit e një kontrate kornizë për nevoja të ndërtimit në komunën e Leposaviqit, që ishte e vlefshme nga korriku i vitit 2015 deri në korrik të vitit 2018 dhe kishte vlerë të parashikuar mbi 2 milionë euro.

Në lidhje me projektin për ndërtimin e pishinës në Leposaviq, Ministria e Kulturës kishte angazhuar një kompani për të bërë “kolaudimin e punëve në pishinën e Leposaviqit” që i bie vlerësimin e vlerës së punëve të kryera në një projekt.

Në bazë të këtij vlerësimi, Prokuroria kishte konstatuar se Ferizi dhe kompania e tij ka përfituar” dobi pasurore në shumën mbi 246.000 euro”, mbi vlerën e punëve të kryera  në këtë projekt.

Lidhjet kontraktuale ndërmjet Komunës së Leposaviqit me kompanitë në lidhje me projektin e ndërtimit të pishinës.

Të akuzuar në të njëjtën aktakuzë, por lidhur me projekte të tjera janë edhe pronarët e kompanisë “Lirigzoni” nga Skenderaji.

Ata kanë konfirmuar se kompania “Projektuesi” i kishte angazhuar për gërmimin e gropës për pishinë, por nuk e kanë treguar vlerën e kontratës që e kishin me ta.

Çfarë u ndërtua nga projekti i vitit 2006?

Projekti i vitit 2006 për qendrën sportive në Leposaviq , ishte punuar nga kompania “Projmetal ad” nga Beogradi, e cila tani është shuar. Aty përshkruhet një kompleks sportiv me pishina, fusha sportive, e objekte të tjera rekreative me vlerë rreth 2 milionë euro.

Krahas pishinës kryesore olimpike, ishte planifikuar të ndërtohej një pishinë për notarë joprofesionistë, pishina për fëmijë dhe objekte të tjera.

Kjo është gjendja aktuale e kompleksit sportiv në Leposaviq.

Aty janë funksionalizuar një fushë futbolli dhe një fushë tenisi.

Pishina kryesore ka vetëm konstruktin e betonit, ndërsa pishinat përcjellëse nuk ekzistojnë.

Nuk janë ndërtuar as objektet përcjellëse rekreative të parapara në projekt.

Jabllanoviq fajëson Listën Serbe

Ish-kryetari i Komunës së Leposaviqit, Dragan Jabllanoviq, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë pretendon se projekti i ndërtimit të pishinës olimpike nuk ka përfunduar për shkak se puna është bllokuar nga Lista Serbe, parti së cilës i takonte dikur.

Dragan Jabllanoviq fitoi zgjedhjet lokale në vitin 2013 si kandidat i Listës Serbe, por ai thotë se është larguar nga partia në vitin 2015, dhe për këtë është “sabotuar” në punën e tij.

“Ata nuk (na siguruan) lidhjen me ujë, asgjë dhe kështu përfundoi”, thotë Jabllanoviq.

Lista Serbe, megjithatë, nuk iu përgjigj kërkesës së REL-it për koment lidhur me këto akuza.

Ai shton, gjithashtu, se ka kaluar shumë kohë dhe se nuk i kujtohen të gjitha detajet lidhur me këtë projekt.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale e ngarkon Jabllanoviqin me akuzën për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare.

“Filterë të padukshëm” për pishinën e papërfunduar                                                      

Derisa pishina nuk ishte ndërtuar akoma, Komuna e Leposaviqit në atë kohë filloi të mendojë për sistemin e ujit me të cilin do të mbushej pishina.

Më 20 dhjetor të vitit 2016, Komuna lidhi kontratë me një konsorcium kompanish të përbërë nga kompania “Eurometal” nga Ferizaj dhe “Kruzni Tok” nga Zveçani.

Ata parashihej ta furnizonin komunën me “pajisje për stacionin e filtrimit të ujit” në kontratën me vlerë prej 163.537.20 eurosh dhe furnizimi pritej të bëhej brenda dy ditësh.

Pikërisht më 22 dhjetor të vitit 2016, një raport i komisionit mbikëqyrës të komunës, të cilin e ka siguruar REL-i, kishte konstatuar se kontrata është përmbushur dhe furnizimi është bërë.

Raporti i komisionit komunal për pranimin e mallrave dhe kontrata e “Euro Metal” dhe “Kruzni Tok” me Komunën

Por, Zyra Kombëtare e Auditimit në një raport të vitit 2017 kishte  konstatuar  se “furnizimi me pajisje për filtrim të ujit dhe montimi i tyre në pishinë nuk ishte kryer fare”.

Për më tepër, sipas Auditorit, pagesa për këtë shërbim ishte kryer.

Pronari i kompanisë “Eurometal”, Njazi Musliu, është i akuzuar në aktakuzën e përbashkët në lidhje me këtë kontratë. Ndërkaq, pronari i kompanisë “Kruzni Tok”, Sllobodan Savqiq, sipas Prokurorisë, gjendet në arrati.

Përfaqësues të kompanisë “Eurometal” deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk u janë përgjigjur pyetjeve të REL-it lidhur me këtë çështje.

Ndërsa, kompania “Kruzni Tok” ishte e paqasshme.

Të akuzuar për keqpërdorim në lidhje me këtë tender janë edhe zyrtarët komunalë të atëhershëm që kishin përpiluar e nënshkruar raportet se malli ishte pranuar.

Projekt i dytë për pishinën

Pas vitit 2017, udhëheqësia e Leposaviqit u ndryshua dhe në krye të Komunës erdhi Zoran Todiq, nga Lista Serbe.

Në gusht të vitit 2022, Komuna nisi një projekt të ri për përfundimin e punëve në kompleksin e pishinës.

Projektin e ri e realizoi kompania “Arhiform” nga Beogradi. Kjo kompani nuk u është përgjigjur pyetjeve se sa ishte paguar për realizimin e projektit ose nëse ishte angazhuar për punë të tjera në të.

Në këtë projekt thuhet se është i nevojshëm ndërtimi i pishinës kryesore olimpike dhe dy pishinave përcjellëse bashkë me një objekt për trajtimin e ujit.

Në nëntor të vitit 2022, Todiq dha dorëheqje nga pozita e kryetarit të Komunës në sistemin e Kosovës, ndërsa është ende udhëheqës i komunës në sistemin serb.

Ai nuk i është përgjigjur kërkesës për koment lidhur me këtë çështje.

Pamja e pishinës nga projekti i vitit 2022

Pishina si duket tani

Dy dekada pritje për not

Dalibori, banor i Leposaviqit, ishte diplomuar në Fakultetin e Sportit dhe Edukimit Fizik pikërisht rreth vitit 2006 kur pishina dhe kompleksi sportiv rreth saj ishte projektuar.

“Edhe në atë kohë flitej për pishinën e famshme. I mbanim provimet (për not) në Greqi nëse e besoni. Ishte shtrenjtë, por nuk kemi pasur pishinë këtu në Leposaviq”, thotë ai.

Nenad Radosavljeviq, i cili ka qenë asamblist në Kuvendin e Komunës së Leposaviqit nga viti 2013 deri në vitin 2017, thotë se mjetet e Qeverisë së Kosovës për ndërtimin e pishinës janë ndarë, por nuk janë përdorur për atë qëllim

“Rezultati i gjithë kësaj është korrupsioni dhe vjedhja e parave publike. Ne nuk kemi pishinë për dhjetë vjet dhe nuk kemi as para”, thotë Radosavljeviq për Radion Evropa e Lirë.

Ai thotë se në buxhetin komunal për vitin 2015 për fazën e parë të ndërtimit të pishinës ishin planifikuar mbi 800 mijë euro, ndërsa për pajisje të tjera në vitin 2016 janë ndarë 200 mijë euro.

“Nga gjithë kjo, atje (në terren) ka mbetur vetëm një vrimë e betonuar. Nuk duket si pishinë, madje është e rrezikshme sepse është e madhësisë olimpike. Ishte planifikuar një tjetër pishinë më e vogël për fëmijë, por asgjë nuk u bë në lidhje me të”.

Projekt i ri për pishinën?

Lulzim Hetemi erdhi në krye të Leposaviqit pas zgjedhjeve të vitit 2023, që u bojkotuan nga partitë dhe popullata serbe atje.

Kjo ishte hera e parë kur në Komunën e Leposaviqit dhe tri komuna tjera me shumicë serbe, Mitrovicë e Veriut, Zveçan dhe Zubin Potok u zgjodhën kryetarë shqiptarë.

Zgjedhja e tyre u kundërshtua ashpër nga popullata serbe, por ata vazhdojnë të mbajnë postet e tyre

Tani, Hetemi thotë se ka nisur bisedimet për të përfunduar projektin e kompleksit sportiv në Leposaviq, në bashkëpunim me qeverisjen qendrore dhe Federatën e Futbollit të Kosovës.

Ai nuk jep shumë detaje se si dhe çfarë saktësisht do të financohet pasi thotë se ideja e investimit është në fazat e hershme.

Federata e Futbollit të Kosovës, po ashtu, nuk u është përgjigjur pyetjeve se si do të financohet ky projekt.

Ndërkaq, Qeveria e Kosovës ka thënë se janë duke duke u shqyrtuar mundësitë për investime në projekte infrastukturore, “përfshirë atë të qendrës sportive” (në Leposaviq).

“…Aktualisht, janë duke u bërë analiza të mëtejme në lidhje me fizibilitetin e saj si në raport me kërkesat dhe nevojat e Komunës, ashtu edhe në raport me Lojërat Mesdhetare 2030”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkohë, Dalibori nga Leposaviqi, që tani ka tre fëmijë, thotë se ata shpesh i kërkojnë t’i çojë për not gjatë verës

“Unë i sjell këtu ku gjithçka filloi, ku gjendet gropa dhe u them: Këtu është, kur ka shi kemi pishinë dhe kur ka diell nuk kemi”, thotë ai. /REL/

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy