Një makinë ka shpërthyer në flakë në dalje të tunelit të Llogarasë në Palasë dhe është shkrumbuar totalisht.
Ende nuk dihet shkaku i zjarrit, ndërsa mësohet se nuk ka të lënduar.
Policia dhe zjarrfikësja ndodhen në vendin e ngjarjes.
Çdo ditë policia pothuajse raporton për automjete që digjen gjatë lëvizjes, për shkaqe teknike.
Ekspertët mendojnë se shkak bëhet sistemi i frenimit me paketa elektronike. Sipas ekspertit autoteknik, Artur Sulçe, këto paketa punojnë me orë pune dhe duhen ndërruar për shkak të konsumimit që krijohet nga lëvizja.
“Sistemi i frenimit i shumë mjeteve, meqenëse është elektronik me paketa, atëherë ajo është me orë punë dhe kur shkon në fund të orëve të punës, në moment të caktuar duhet ndërruar. Fakti që ajo mund të rrijë frenato gjatë lëvizjes krijon rritjen e nxehtësisë dhe kemi parë që digjen, fillon që nga amortizatori që merr flakë”, shprehet eksperti Sulçe.
Sulçe ngre shqetësimin e cilësinë e pjesëve të makinave që ndërrohen, ndërsa thotë se më shumë defekte, pësojnë makinat me shumë vite pune.

