Mesfushori i Augsburgut, Elvis Rexhbeçaj, i është bashkuar sot Kombëtares së Kosovës.
Lajmin e bëri të ditur Federata e Futbollit të Kosovës, ku tha se letra konfirmuese u nënshkrua me presidentin e FFK-së, Agim Ademit, lojtarit Rexhbeçaj dhe përfaqësuesit të FFK-së për Gjermani, Fekmi Kongjeli.
Rexhbeçaj shprehu entuziazmin e tij për këtë vendim, teksa falënderoi familjen për mbështetjen, kryetarin e FFK-së dhe përfaqësuesin e federatës për Gjermani për kontaktet e vazhdueshme.
“Sot i thash ‘Po’ Kosovës. Falënderoj në radhë të parë familjen time për përkrahje të vazhdueshme, falënderoj Agim Ademin si dhe Fekmi Kongjelin dhe gjithë FFK-në, që për shumë vite kanë qëndruar në kontakt me mua”.
“Pres me padurim të bashkohem me shokët e Kombëtares dhe t’i realizojmë ëndrrat tona. Unë deri më tani kisha pengesa ligjore për shkak të pasaportës së Kosovës. Tani me ligjin e ri që erdhi për lejimin e dy pasaportave vendosa me zemër t’i bashkohem Kosovës. Forca Dardanët!”, është shprehur Rexhbeçaj.
Tutje, FFK-ja tha se kjo prurje e re është hap i madh për Kombëtaren e Kosovës, ku sipas tyre, listës po i shtohet një lojtar me përvojë dhe aftësi të larta.
“Tifozët Dardanët dhe gjithë komuniteti i futbollit presin me padurim paraqitjet e Rexhbeçaj në ndeshjet e ardhshme në Ligën e Kombeve”, thuhet në njoftim.