Kryetari i Komunës së Mitrovicës e njëherësh edhe kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka zhvilluar një vizitë në Hagë te ish-krerët e UÇK-së që po mbahen të burgosur tash e sa vite. Hamza është ndjerë krenarë me qëndresën e tyre, ani pse sipas tij ata janë njollosur padrejtësisht.
“Sa herë që jam në Hagë për t’i takuar presidentin Thaçi, kryetarin Veseli dhe bashkëluftëtarët e tyre, ndjehem krenar kur i shoh të fortë e të pathyeshëm, por thellësisht i prekur kur vjen koha të ndahem prej tyre. Ish-udhëheqësit e UÇK-së dhe të shtetit po paguajnë çmim të lartë dhe shumë të padrejtë, që luftës për liri, pavarësisë dhe Kosovës t’ia heqin njollat që padrejtësisht na u vunë”, thuhet në postimin e Hamzës në Facebook. Sipas të parit të Mitrovicës, akti më i drejtë juridik është rikthimi i tyre në Kosovë.
“U çmallëm për pak orë dhe u gëzova shumë kur i pashë plot shpresë që e vërteta e luftës së UÇK-së, ajo që të gjithë ne e njohim, presin të konfirmohet në fund të këtij procesi të stërzgjatur gjyqësor. Njëkohësisht, Kosova dhe institucionet e saj duhet të bëjnë më shumë për mbrojtjen e tyre dhe të vërtetën e luftës së popullit tonë. Rikthimi i tyre në Kosovë, pranë familjeve dhe popullit të tyre, është akti më i drejtë juridik, politik e moral, i cili padrejtësisht po zvarritet”, përfundon Hamza.