Hoti: Kurti e ktheu dialogun në pikën zero, sulmet ndaj mediave si në shtetet totalitare

by Merita

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti e ka bërë përgjegjëse qeverinë e prirë nga Albin Kurti për dështimet në dialogun me Serbinë dhe në politikat e brendshme, përfshirë sulmin ndaj mediave nëpërmjet deputetëve të tij nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në një intervistë për gazetën online Reporteri.net, deputeti Hoti ka bërë krahasime me gjendjen e dialogut në të cilën e la sa ishte kryeministër dhe kthimin në pikën zero nga kryeministri Kurti.

banner

“Dialogu në qeverinë paraprake ka qenë i ndërtuar mbi parime të fuqishme dhe i dakorduar me miqtë. Parimi bazë i dialogut ishte se duhet të përmbyllet me marrëveshje finale për njohje reciproke, se dakordohemi për të gjitha çështjet ose për asgjë”, ka thënë Hoti.

E ka quajtur për keqardhje politikën e jashtme të prirë nga ministrja Donika Gërvalla, ndërkaq sulmet ndaj mediave, si këto të pushtetit të Kurtit, ka thënë se bëhen vetëm në shtetet totalitare.

Lexojeni intervistën e plotë me deputetin e LDK-së, Avdullah Hoti:

Reporteri.net: Zotëri Avdullah Hoti, takimet e mbajtura në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kanë përfunduar pa rezultate konkrete. Palët vazhdimisht kanë fajësuar njëra-tjetrën për moszbatimin e marrëveshjeve, ndërkaq BE-ja ka deklaruar se ka mungesë të vullnetit politik për zbatimin e marrëveshjeve. Në anën tjetër, SHBA-ja nëpërmjet ambasadorit të saj në Kosovë i ka bërë thirrje Kosovës që të përkushtohet në dialog. Sipas jush, ku ngeci dialogu nën qeverisjen e Albin Kurtit dhe çfarë ndryshon nga dialogu, në të cilin pritë ju dhe kur i dha hov Donald Trumpi sa ishte në krye të Shtëpisë së Bardhë?

Hoti: Dialogun në qeverinë paraprake ka qenë i ndërtuar mbi parime të fuqishme dhe i dakorduar me miqtë. Parimi bazë i dialogut ishte se dialogu përmbyllet me marrëveshje finale për njohje reciproke, se dakordohemi për të gjitha çështjet ose për asgjë. Kur e kam mbaruar mandatin, ia kam dorëzuar z. Kurti të gjitha dokumentet e nevojshme lidhur me dialogun dhe e kam njoftuar për hapat e mëtejmë të dialogut. Por ai e ktheu dialogun në pikën zero, sikur historia të fillonte me të. Ajo që ndodhi në realitet është degradimi i procesit të dialogut dhe humbja e momentin për një marrëveshje me njohje reciproke. Si rezultat i qasjes së gabuar të z. Kurti, dialogu nuk është më në binarët që çojnë një njohje reciproke. 

A prisni që Kosova të jetë në vëmendjen e SHBA-së pas kthimit të mundshëm të Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë pas zgjedhjeve presidenciale të muajit nëntor në SHBA? 

Hoti: Republika e Kosovës gjithmonë ka qenë në vëmendjen e ShBA-së, sepse aleanca e krijuar nga Presidenti Rugova dhe e mirëmbajtur nga të gjitha qeveritë me radhë është e përhershme. Aleanca jonë me SHBA-në është mbi vlerat tona të përbashkëta demokratike. Republika e Kosovës është e bekuar me aleancën që ka me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Çdo president që ka besimin e amerikan është i respektuar nga ne.

Marrëveshja e fundit që Kosova dhe Serbia e arritën, ajo e vitit 2023, ishte ajo për rrugën drejt normalizimit të raporteve – e njohur si Marrëveshja e Ohrit. Mirëpo kjo marrëveshje, e cila nuk është nënshkruar për shkak të refuzimit të Serbisë, parasheh edhe formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. A do të duhej që drafti të dërgohej në Kushtetuese dhe t’i jepej fund kësaj çështjeje? Cili do të ishte qëndrimi i LDK-së në këtë rast?

Hoti: Qëndrimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka qenë gjithnjë i qartë, se Qeveria duhet ta përgatisë draftin e statuti bazuar në marrëveshjen e ratifikuar në Kuvend në vitin 2013 dhe Marrëveshjen e Parimeve të vitit 2015. Ky është një detyrim i Kosovës. Z. Kurti refuzoi ta përgatiste vetë statutit, dhe si pasojë i erdhi në zyrë një draft i formës “merre ose lëre” nga BE-ja. Z. Kurti i ka bërë dëm të madh Kosovës në afat të gjatë me Marrëveshjen e Ohrit. 

Bazuar në përvojën tuaj në udhëheqje të Qeverisë, dialogu si proces, a ka vazhduar edhe me ju aty ku e keni gjetur nga qeverisja e kaluar dhe a ka vazhduar aty ku e keni lënë ju?

Hoti: Kur unë kam marrë qeverisjen e vendit, dialogu ka qenë në bllokadë totale. Fillimisht kemi zhvilluar dialogun e brendshëm me forcat politike, shoqërinë civile dhe komunitetin akademik. Kemi hartuar parimet e dialogut, i fokusuar një njohje reciproke. Pastaj, kemi nisur koordinimin me aleatët. Vetëm pas këtyre veprimeve, ne jemi dakorduar të shkojmë në Bruksel. Në shtator të vitit 2020 u ftuam në Shtëpinë e Bardhë nga President i Shteteve të Bashkuara dhe nënshkruam marrëveshje ekonomike. Pjesë e asaj marrëveshje ishte edhe njohja nga Izraeli. Siç e theksova më lartë, z. Kurti e ndërroi komplet rrjedhën e dialogut dhe e degradoi në nivelet më të ulëta që ka qenë ndonjëherë. 

E keni quajtur goditje për Kosovën vendimin e BE-së për liberalizimin e vizave për pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë me pasaporta të Serbisë? Përse është goditje për Kosovën dhe çfarë do të thotë për legjitimitetin e Kosovës si shtet?

Hoti: Është goditja më e rëndë që ka marrë Republika e Kosovës. Kjo nuk ndihmon integrimin e komunitetit serb në institucionet e Kosovës. Kjo e cenon shtetësinë e Kosovës pasi ato pasaporta janë ilegalë. I kemi paralajmëruar me kohë Kurtin dhe Osmanin se qasja në dialog dhe në veprime sa i përket integrimit të komunitetit serb nuk është duke shkuar në drejtimin e duhur. Tani po i shohim pasojat. Dhe ky mund të mos jetë fundi. Mund të kemi pasoja të tjera.

Në këta katër vjet, përveç që udhëheqësit e politikës së jashtme nuk sollën njohje të reja, Kosova dështoi të anëtarësohej edhe në Këshillin e Evropës, ndërkohë, nuk është parë ndonjë përpjekje për ta ngjallur këtë proces, sidomos tash pas zgjedhjeve të reja të Evropës. Sa e vlerësoni punën e ministres së Jashtme, Donika Gërvalla?

Hoti:Është për keqardhje se në çfarë niveli ka rënë politika e jashtme e Kosovës. Asnjë njohje, asnjë anëtarësim dhe vetëm sanksione e qortime nga aleatët. Proceset integruese për Kosovën kanë sukses vetëm kur koordinohen me miqtë. Konfrontimi me ta shpie në izolim, siç na ka ndodhur tani. Gabimet prej amatoreje të Ministres së Jashtme dhe moskordinimi i Kurtit dhe Osmanit, duke premtuar e duke mos realizuar asgjë, e kanë sjellë Kosovën në pikën më të ulët sa i përket marrëdhënieve me aleatët. Dorëheqja e kësaj qeverie do të hapte rrugën për të filluar një qasje të re në politikën e jashtme. 

Presidenti Joe Biden konsiderohej si gjenerata e artë dhe e fundit e politikanëve amerikanë që kanë njohur mirë çështjen e Kosovës dhe rajonit. Tani me tërheqjen e tij nga gara për president, a do të duhej një angazhim më i madh që emri i Kosovës të njihet te gjeneratat e reja të politikës amerikane?

Hoti: E thashë edhe më herët se aleanca me SHBA-në nuk lidhet me një administratë specifike. Presidenti Biden është një mik i hershëm i Kosovës. Padyshim që përkrahja e tij nga dita e parë ishte motivuese për ne. Por ky kryeministër dhe kjo qeveri vitin e kaluar e quanin Sekretarin e këtij Presidenti një njeri naiv, që ishte gabim i pafalshëm në politikën e jashtme. Vetëm një qeveri që ka orientime joperëndimore mund të sillet kështu karshi aleatit kryesor të Kosovës. Besoj shumë se së shpejti do të jetë LDK-ja në qeveri dhe do ta kthejë besimin e aleatëve ndaj Kosovës. 

Për shkak të zhvillimeve të njëpasnjëshme, që prej dialogut e deri te miratimi i ligjeve kundërthënëse si ata të KPM-së dhe KPK-së, sa ka qenë e zëshme opozita dhe a mendoni se kontestimi i veprimeve të qeverisë dhe pozitës me anë të gjykatave ka qenë forma më e mirë karshi këtij pushteti?

Hoti: Opozita vazhdimisht ka qenë kundërshtuese ndaj këtyre nismave antikushtetuese. Argumentet e opozitës janë mbështetur edhe nga Komisioni i Venecias. Por qasja totalitare e z. Kurti për t’i kapur të gjitha institucionet, si dhe roli vegjetues prej notereje i Osmanit, ka bërë që opozita të mos ketë zgjidhje tjetër përveçse t’i drejtohet në vazhdimësi Gjykatës Kushtetuese. Ne jemi të bindur që këto ligje janë antikushtetuese. Ne jemi të bindur se qëllimi i Kurtit dhe Osmani është kapja e këtyre institucioneve. Në asnjë formë nuk do ta lejojmë këtë, sepse preken themelet e demokracisë. Demokracinë do ta mbrojmë me çdo kusht.

Tashmë si deputet për disa mandate dhe me një pushtet me shumicë që nuk ka qenë më parë, si e vlerëson LDK-ja punën e Kuvendit dhe sa ka ndikuar negativisht në raportet ndërkombëtare për Kosovën, roli që disa deputetë të pozitës e kanë marrë në atë të interpretuesve dhe gjyqtarëve, sidomos në muajt e fundit karshi mediave?

Hoti: Asnjëherë nuk ka qenë niveli i punës së Kuvendit më ulët se gjatë këtyre 4 viteve. Raportet e shoqërisë civile dhe të organizatave ndërkombëtare tregojnë se ky mandat legjislativ ka qenë i dështuar. Sa i përket çështjes së kërcënimeve të deputetëve karshi medias dhe gjyqësorit, raportet ndërkombëtare tregojnë më së miri se çfarë niveli ka rënë Republika e Kosovës, nga një shtet shembull për liri të shprehjes, demokraci dhe gjyqësor të pavarur, në një shtet ku deputetët dhe kryeministri atakojnë publikisht gjyqtarët dhe mediat. Është për keqardhje vegjetimi i Osmanit ndaj gjithë kësaj katrahure, ajo me heshtje po i miraton gjithë këto sulme të pushtetit ku ajo është pjese ndaj mediave.

Kur jemi te këto sulme të pushtetit të Kurtit ndaj mediave, të cilat janë më të ashprat ndaj mediave që prej çlirimit të Kosovës, a është kjo përpjekje e Qeverisë për të fshehur dështimet e veta, duke krijuar situata krejt dytësore për të ndërruar vëmendjen?

Hoti: Sulme të tilla nuk kanë ndodhur asnjëherë. Mediat kanë qenë zë i fuqishëm ndër vite, zë kritik ndaj pushtetit. Asnjëherë nuk ka ndodhur që pushteti t’i kërcënoi publikisht mediat dhe të tentojë t’i censurojë ato me ligje antikushtetuese. Vetëm në shtetet totalitare mbyllen mediat, siç u tentua me një televizion nacional në Kosovë. Besoj shumë se është e kotë kjo qasje e qeverisë. Po jetojmë në kohën e revolucionit teknologjik, ku secili qytetar është gazetar dhe merr pjesë në debatin publik. Gazetarët në Kosovë kanë qenë krah i djathtë i përpjekjeve dhe luftës për çlirimin e Kosovës. Ata kanë rezistuar kur janë rrezikuar me jetë, e lëre më sot kur marrin fyerje e kërcënime nga politikanë me mendësi totalitare që ndjellin urrejtje në shoqëri dhe polarizojnë qytetarët. Ata nuk janë nënshtruar ndaj regjimit gjenocidal të Serbisë, e lëre më ndaj një kryeministri siç është z. Kurti.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy