Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka thënë se ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu duhet të jap dorëheqje, pasi që sipas tij, ka dështuar dhe nuk ka ndërruar asgjë përveç “look-ut” të saj.
Ai ka thënë se Haxhiu ka dështuar në punën e saj në hartimin e ligjeve të cilat kanë përfunduar në Gjykatën Kushtetuese dhe janë rrëzuar nga kjo gjykatë.
“Jo vetëm që do të duhet të jap dorëheqje por mendoj që as nuk do të duhej të ishte fare e emëruar si ministre e Drejtësisë duke e pasur parasysh që qysh nga fillimi i mandatit të saj ata paradite e kishim në seancat gjyqësorë për veprat të cilat akuzohej, dhe pasdite në Ministrinë e Drejtësisë, është ministre e dështuar edhe në aspektin e punës së saj në hartimin e ligjeve të cilat kanë përfunduar në Gjykatën Kushtetuese dhe janë rrëzuar nga kjo gjykatë”, ka thënë Haxhiu për EO.
Sipas Haxhiut, nuk mjafton vetëm dorëheqja e ministres por duhet të jap përgjegjësi për deklarimet e saj “të pa matura që kanë shkaktuar një kaos në opinionin publik”.
Me papërgjegjësinë e saj në përpjeke për të krijuar familjarëve të saj lehtësira në burgje ka shkaktuar një kaos në sistemin e burgjeve duke i krijuar mundësi të tjerëve që ikin nga burgjet ose të ikin organeve të drejtësisë. Sigurisht që për këtë nuk mjafton vetëm dorëheqja por duhet edhe përgjegjësia morale dhe penale për deklarimet e saj të pa matura të cilat me të vërtetë kanë shkaktuar një kaos në opinionin publik”, shtoi Haxhiu.
Krahas kësaj, deputeti i PDK-së, ka theksuar se në aspektin e riformimit të sistemit të drejtësisë, Haxhiu ka dështuar totalisht.
Dhe për këtë, Haxhiu ka thënë se duhet të jap llogari për shpenzimet e bëra të buxhetit në hartimin e projektligjeve dhe të Gjykatës Kushtetuese.
“Në aspektin e riformimit të sistemit të drejtësisë është dështim total, në vazhdimësi ka sjellë në Kuvend ligje të cilat kanë qenë në kundërshtim me Kushtetutën, dhe për këtë do të duhej të jepte llogari edhe për shpenzimet të cilat ja ka bërë buxhetit në hartimin e projektligjeve, por edhe shpenzime që janë krijuar në Gjykatën Kushtetuese të cilat kanë qenë në kundërshtim me Kushtetutën. Përpjekja e saj ka qenë për ta kapur në kontroll sistemin e drejtësisë, dhe jo për ta riformuar atë dhe kjo është dështimi tjetër i ministres. Kjo është një arsye shtesë për të jap dorëheqje, një ministër i ndërgjegjshëm i drejtësisë në momentin që Gjykata Kushtetuese ia rrëzon vetëm një ligj jep dorëheqje. Për Haxhiun kjo është bërë disa herë. Nuk po jep dorëheqje sepse i pëlqen pozita krejt çka ka ndryshuar është vetëm look-u i saj asgjë më shumë për të mirën e qytetarëve”, tha deputeti.