Anësori i Lilles, Edon Zhegrova, më herët ka qenë i lidhur me një kalim te Arsenali, ndërsa tani ai shfaqet si objektiv i verës për Napolin dhe Milanin.
Të dy gjigantët e Serisë A janë në kërkim të një anësori të ri sulmues. Zhegrova, me kontratë me Lille deri në qershor 2026, është ndër objektivat e tyre, sipas mediave në Itali.
Il Corriere dello Sport shkruan se 24-vjeçari është ndër kandidatët e Napolit për të zëvendësuar Hirving Lozano, i cili mund të largohet nga Stadio Maradona në verë, pasi disa klube të Ligës Premier dhe Ligue 1 janë të interesuara për nënshkrimin e meksikanit.
Gazeta pretendon se Napoli dhe Lille janë në marrëdhënie të mira, por kjo nuk do të thotë se kampionët e Serisë A do të kenë trajtim preferencial në garën për kosovarin.
Për më tepër, prioriteti i Napolit është të gjejë një mesfushor të ri qendror dhe Lazar Samardzic i Udineses është opsioni i tyre i preferuar për të zëvendësuar potencialisht Piotr Zielinski.
Në anën tjetër edhe Milani i ka vënë sytë edhe Zhegrovës dhe siq shkruan Tuttosport, anësori i talentuar është në agjendën e kuqezinjve së bashku me Adama Traoren, Riccardo Orsolinin, Hakim Ziyechin dhe Nicolo Zaniolon.