Ish kryeministri Sali Berisha ka bërë një status në profilin e tij në Facebook duke akuzuar se drejtoresha e Shërbimit Informativ Shqiptar (ShISh), Vlora Hyseni ka bërë vizitë të fshehtë në Beograd.
“Vizita e fshehtë e Vlora Hysenit në Beograd, kërcënim për sigurinë e Kosovës, Shqipërisë, rajonit dhe NATO-s.” – ka shkruar Berisha.
Pas denoncimit të ish-kryeministrit, deputeti dhe anëtari i Komsionit të Sigurisë Kombëtare në Parlament, Flamur Noka nëpërmjet një shkrese të dërguar ditën e sotme i ka kërkuar sqarime Presidentit të Shqipërisë Bajram Begaj në lidhje me “vizitën 10 ditore” që Berisha thotë se ka bërë Hyseni.
“Duke qenë se Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s, vizita e Kryetares së SHISH, të një vendi anëtar tek një vend jo partner dhe jo anëtar i NATO-s, ka krijuar shqetësim madhor. Kjo për arsye se SHISH përfaqëson një institucion kryesor të Sigurisë Kombëtare.
Gjithashtu, kjo vizitë rrit misterin dhe ngre shumë pikëpyetje, pasi po zhvillohet në një moment shumë të komplikuar dhe delikat për Kosovën, ku Presidenti serb, Vuçiç po provokon duke trazuar situatën dhe paqen në Kosovë dhe duke rrezikuar stabilitetin në rajon.
Duke e konsideruar shumë të rëndësishme ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, si anëtar i Komisionit për Sigurinë Kombëtare kërkoj të informohem rreth motivit të kësaj vizite enigmatike, arsyet dhe qëllimi i saj. A janë informuar institucionet eprore dhe a është marrë miratimi i tyre? A është bërë në konsultim dhe a janë informuar partnerët tanë të NATO-s rreth kësaj vizite?” – ishin pyetjet e Nokës për Begajn.
Nga ana tjetër media kosovare ‘Nacionale’ shkruan se ka marrë vesh nga burime të sigurta se një lajm i tillë nuk është i vërtetë. Sipas kësaj medie Znj. Hyseni – që ishte zyrtare e lartë e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë nuk ka pasur vizitë sekrete në Beograd. Vetë Hyseni nuk ka bërë një reagim për këto akuza.