Analisti i politikave në Institutin GAP, Agron Demi u është përgjigjur reagimeve nga zyrtarë qeveritarë pasi ai para pak ditësh nxori të dhëna që dëshmonin se kryeministri Albin Kurti më shumë se 1/4 e kohës së tij e shpenzon në të pame, homazhe e akademi përkujtimore.
Demi shkroi se është “e kuptueshme që Kryeministri ka edhe takime tjera që nuk bahen publike”, por shtoi se “në vitin e fundit të qeverisjes ish dashtë me kulmu në rezultate të prekshme ato takime”.
Më tej, ai ka shtruar disa pyetje.
“Për shembull, përse për shtatë muaj Kryeministri nuk ka fillu as përfundu një projekt madhor infrastrukturor? Po bahen një vit qysh kur u paralajmëru se autostrada për Gjilan u kry, por ama ende askush nuk e di sakt as traseja ka i bjen!”.
“Përse Kryeministri i neglizhon komplet bizneset? Ka mund me i vizitu së paku nja 30 biznese për shtatë muaj, ma pak se gjysma e vizitave për kryeshnosh. Janë bizneset ato që ja mundësojnë Kryeministrit me i mar ka 100 milionë euro e me i shpërnda pastaj tek grupet sociale, pa asnjë plan të qëndrueshëm”.
Demi pyeti se “përse nuk përton me i hyp aeroplanit e me shku në Londër me mbajtë një ligjeratë, por nuk shkon në një komunë që nuk qeveriset nga partia e tij?”.
“Përse ka kohë me pritë grupe studentësh nga lloj-lloj universiteti, por nuk ka kohë me i adresu vërejtjet ndaj ministrave që shkojnë në adresë të tij çdo ditë?!”, pyet ai.