Osmani pyetet për zgjedhjet e jashtëzakonshme, thotë se në takim nuk pa disponim për shpërndarje të Kuvendit

by Nexhat

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur sot një konferencë për media, pas takimit konsultativ me liderë të partive politike për datën e zgjedhjeve të rregullta.

Ajo është pyetur nga gazetarët nëse ekziston akoma mundësia për zgjedhje të jashtëzakonshme.

Sipas saj mundësia për zgjedhje të jashtëzakonshme ekziston ende.

Osmani tha se kjo mund të ndodhë nëse ka disponim nga partitë politike që ta bëjnë një shumicë votash për ta shpërndarë kuvendin

Ajo shtoi se sot në takim nuk pa disponim të tillë.

“Sa i përket zgjedhjeve të jashtëzakonshme, mundësia ligjërisht akoma ekziston. Pra caktimi i datës së zgjedhjeve të rregullta ligjërisht nuk e përjashton mundësinë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, megjithatë shpërndarja e Kuvendit kërkon 2/3 e votave e më shumë dhe se a kanë disponim partitë politike të përfaqësuara në Kuvend ta bëjnë një shumicë të tillë apo jo është çështje e tyre, sot nuk u duk një disponim i tillë. Megjithatë në qoftë se ndryshon diçka në ndërkohë do ta kuptojmë të gjithë. Në rast të shpërndarjes së kuvendit, afati është shumë më i shkurtë, brenda 30-45 ditësh, mirëpo nuk po shihet në horizont një mundësi e tillë për momentin. Nuk mund ta përjashtoj unë sepse është vullnet i partive jo i presidentes. Për momentin përgatitjet i bëjmë për zgjedhje të rregullta dhe afatet janë të qarta, jepet mjaftueshëm kohë, sa më herët që qytetarët e dijnë se kur do të mbahen zgjedhjet aq më lehtë bëhen planifikimet, planifikimet e votës së mërgatës, që është e rëndësishme sepse për herë të parë mundësohet një gjë e tillë”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se do ta bëjë publike datën e zgjedhjeve “sa më parë që të jetë e mundur”.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy