Paralajmërimet e Bashkimit Evropian për ashpërsim të masave ndaj Kosovës, nëse bëhen veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara, për profesorin Mazllum Baraliu, nuk janë të drejta.
Bajraliu konsideron se BE-ja po sillet ndaj Kosovës me metoda të diktatit.
“Ne do të duhej t’i relaksojmë marrëdhëniet dhe ata do të duhej të silleshin vetëm si përfaqësues diplomatikë në një vend sovran dhe të pavarur me të gjitha të drejtat dhe kompetencat që ia dedikon e drejta ndërkombëtare e Kosovës dhe ta respektojnë këtë dhe mendimet, qëndrimet edhe vendimet që janë pozitive, në frymën e ligjit, në frymën e drejtësisë dhe shtetit të së drejtës. Për të zbatuar ato marrëveshje që pikërisht Bashkimi Evropian dhe Bashkësia Ndërkombëtare i ka përkrahur me ndërmjetësimin e tyre në mes të Kosovës dhe Serbisë”, tha profesori Mazllum Baraliu njohës i çështjeve politike, për RTK.
Qeveria i reagoi BE-së nëpërmjet zëdhënësit të saj, duke thënë se masat nuk janë zgjidhje.
“Në anën tjetër shtrohet pyetja çfarë masa ndërmori BE-ja ndaj Serbisë, e cila pas sulmit terrorist dhe paramilitar shpalli ditë kombëtare zie për tre terroristët e vrarë në Banjskë, kreun e të cilëve, Milan Radoiçiq e strehon dhe financon?”, ka thënë Përparim Kryeziu
Baraliu thotë se BE nuk mund të sillet me Kosovën si me një shtet që nuk e pranon
“Mbi çfarë baze? Ata nuk kanë të drejtë sepse ne nuk jemi anëtarë. Ata kanë të drejtë ndaj Hungarisë për shembull, por s’po e bëjnë, që haptazi u ka dalë nga dora, nga politikat e BE-së dhe po koketon me Rusinë e me të tjerë e Kinën dhe s’po i bëjnë gjë, po tolerojnë”, theksoi ai
Analisti i çështjeve të sigurisë, Arben Dashevci, tha se në aspektin e sigurisë nuk ka kushte më të mira se tash që të hapet ura e Ibrit.
“Siguria private është plotësuar, siguria individuale është plotësuar, siguria publike është aty për ti plotësuar kushtet dhe siguria nacionale që është për të gjithë, është plotësuar bashkarisht me sigurinë kolektive që do të thotë NATO dhe 33 shtete kujdesen për këtë republikë dhe këtë urë që të mos ketë eskalime… Ata që e kanë sulmuar Republikën e Kosovës nuk gjinden më në Republikën e Kosovës”, deklaroi Dashevci.
Ndërkaq, sa u përket deklaratave të BE-së lidhur me veprimet e Qeverisë për hapjen e urës për qarkullim të automjeteve, Dashevci tha se Qeveria duhet ta gjejë mënyrën për koordinim, në mënyrë që të mos të krijohen probleme diplomatike me aleatët. /RTK/