Një sondazh i Këshillit Rinor Kombëtar të Serbisë (KOMS) ka zbuluar se rreth 32 për qind e të rinjve serbë duan luftë kundër Kosovës, ndërsa vetëm 8.5 për qind besojnë se zgjidhja më e mirë do të ishte njohja e pavarësisë së Kosovës.
Rreth 22 për qind e të rinjve besojnë se duhet të ketë pajtim, ndërsa 18.4 për qind vlerësojnë se Kosova duhet të njihet por pas ripërcaktimit të kufijve në mënyrë që shumica e popullsisë serbe në Kosovë të mbetet brenda Serbisë.
Në pyetjen se pse Serbia nuk është bërë ende pjesë e Bashkimit Evropian (BE), rreth 63 për qind janë shprehur se kjo është rezultat i mosnjohjes së Kosovës. Sa i përket anëtarësimit, rreth 36 për qind kanë qëndrim negativ.
E në pyetjen nëse Serbia duhet të anëtarësohet në NATO një ditë, rreth 60 për qind e të rinjve serbë mendojnë se Serbia nuk duhet të ketë kurrfarë bashkëpunimi me NATO-n. Një e katërta e të anketuarve konsiderojnë se Serbia duhet t’i drejtohet Rusisë dhe Kinës, ndërsa vetëm 16 për qind besojnë se vendi duhet të mbështetet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Ndryshe, rezultatet e sondazhit i kanë komentuar shumë analistë të huaj, përfshirë drejtorin e Iniciativës Evropiane për Stabilitet (ESI), Gerald Knaus, i cili ka thënë se kjo klimë militarise vjen për shkak të ngecjes në dialogun Kosovë-Serbi: “Kur do ta kuptojë BE-ja se politika aktuale ndaj Ballkanit Perëndimor është drejt dështimit dhe duke përgatitur terrenin për tragjedi?”./Albanianpost