Irani mbyll Institutin Kulturor Gjerman në Teheran

by Merita

Policia iraniane ka mbyllur Institutin e Gjuhës Gjermane Teheran – Das Deutsche Sprachinstitut Teheran (DSIT) – për gjoja “shkelje të ligjeve të vendit”, duke e shtyrë Berlinin të thërrasë në takim ambasadorin e Iranit.

Në një postim në rrjetin social X të martën, agjencia e lajmeve e gjyqësorit të Iranit, Mizan tha se dy degë të “qendrave të paligjshme të lidhura me Qeverinë gjermane” janë mbyllur për shkak të “disa veprimeve të paligjshme dhe shkeljeve të shumta financiare”.

banner

Mirzan shtoi se gjyqësori ka “marrë raporte për shkelje nga qendra të tjera të lidhura me Gjermaninë”, duke mos shpjeguar më shumë.

E njohur më parë si Instituti Goethe, qendra kulturore menaxhohet nga Ambasada e Gjermanisë në kryeqytetin iranian.

“Ne dënojmë trajtimin që autoritetet iraniane të sigurisë ia kanë bërë institutit të gjuhës gjermane në Teheran,” tha Ministria e Jashtme gjermane, duke shtuar se ambasadori iranian në Berlin është thirrur në takim qortues.

Para lajmit të Mizanit, një burim i informuar i tha radios Farda të Radios Evropa e Lirë se oficerët e policisë mbyllën degët e institutit në qendër të Teheranit më 20 gusht, duke konfirmuar pretendimet e mëparshme në mediat sociale.

Ky vendim i autoriteteve iraniane vjen një muaj pasi Gjermania e ndaloi Qendrën Islamike të Hamburgut, IZH, një organizatë e lidhur me Iranin, për të cilën tha se “promovon një ideologji islamike, ekstremiste dhe totalitare në Gjermani”.

Autoritetet gjermane mbyllën gjithashtu pesë nënorganizata të IZH-së, duke thënë se ato “po ashtu mbështesin terroristët e Hizbollahut dhe përhapin antisemitizëm agresiv”, duke iu referuar aleatit të Iranit me bazë në Liban, i cili është cilësuar një organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara.

Duke folur për Radion Farda, një ish-student i DSIT-it tha se mbyllja është ngjarje “e trishtuar”, sepse instituti shërbente si një “shtëpi e dytë” për njerëzit që donin të mësonin gjermanisht në një mjedis “më të hapur” se universitetet iraniane.

Ata thanë se shumica e njerëzve që studionin në këtë institut kërkonin të emigronin për t’i vazhduar studimet në Gjermani, Austri dhe Zvicër. Tani, ata që kërkojnë të mësojnë gjermanisht duhet të paguajnë më shumë për të studiuar në institute më pak të njohura dhe për të udhëtuar jashtë vendit për t’iu nënshkruar një provimi të akredituar të gjuhës gjermane.

Shumë njerëz shprehën menjëherë shqetësimin për atë se çfarë do të ndodhtë me provimet e tyre të planifikuara të gjuhës, pas mbylljes së institutit.

Instituti Goethe hapi degën e tij të parë në Iran në vitin 1958, por aktivitetet e tij kulturore u kufizuan dukshëm pas Revolucionit Islamik të vitit 1979, duke rezultuar në mbylljen e tij në vitin 1987.

Instituti rifilloi punën në vitin 1995 me një emër të ri – DSIT – por vendësit vazhduan ta quanin Instituti Goethe./REL

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy