M100 Sanssouci Colloquium, një platformë gjermane me bazë në Potsdam do t’i nderojë me çmime presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministrin e Polonisë Donald Tusk.
Ngjarja zhvillohet më 12 shtator në Orangery of Sanssouci Park në Potsdam, ku fjalën kryesore do ta mbajë kancelari gjerman, Olaf Scholz
“M100 Media Award” ka traditë në nderimin e personaliteteve që kanë lënë gjurmë në Europë dhe në botë. Çmimi, siç thuhet në web-faqen e kësaj platforme, pasqyron kontributin e tyre në ruajtjen e lirisë së shprehjes dhe thellimin e demokracisë, si dhe arritjet e tyre të jashtëzakonshme në promovimin e mirëkuptimit dhe komunikimit europian.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të drejtohet nga gazetarja dhe prezantuesja televizive Astrid Frohloff
“Dr. Vjosa Osmani-Sadriu u zgjodh Presidente e Republikës së Kosovës në prill të vitit 2021. Që nga fillimi i karrierës së saj politike, Osmani-Sadriu pa u lodhur ka avokuar për reforma, forcimin e demokracisë, kursin pro-europian, luftën kundër korrupsionit. si dhe barazinë dhe të drejtat e grave në vendin e saj dhe më gjerë. Presidentja Osmani është e përkushtuar për demokracinë dhe sundimin e ligjit, si dhe për integrimin e Republikës së Kosovës në strukturat euroatlantike. Përkundër të gjitha kërcënimeve dhe pengesave, presidentja Osmani është e palëkundur në dërgimin e një sinjali të fortë pro-europian se demokracia dhe liria duhet të mbrohen si arritje thelbësore. Në vitin 2024, Presidentes Osmani iu dha Çmimi Europian nga Coudenhove-Kalergi Society për përpjekjet e saj të vazhdueshme në promovimin dhe mbrojtjen e vlerave euroatlantike”, thuhet në njoftimin e M100 Sanssouci Colloquium.
“Donald Tusk ka qenë kryeministër polak që nga viti 2023. Përmes një fushate imponuese që theksonte unitetin mbi ndarjen, partia e tij pro-europiane Platforma Obywatelska e ktheu vendin me sukses drejt një demokracie funksionale me një shtyp të lirë, pasi ishte qeverisur pothuajse në mënyrë autokratike nga partia PIS nga viti 2015 deri në 2023. Duke vepruar kështu, ai qëndron si një figurë e rrallë politike që përfaqëson suksesin e procesit të bashkimit dhe zgjerimit europian, arritjet e Polonisë gjatë dy dekadave të fundit, rivendosjen e shtetit të së drejtës dhe vlerave demokratike në Poloni dhe rigjallërimin e bashkëpunimit të ngushtë trepalësh në kuadër të trekëndëshit të Vajmarit me Francën”, shkruan platforma gjermane për kryeministrin polak.
“M100 Media Award” do të transmetohet drejtpërdrejt më 12 shtator nga ora 19:00 (CET) në web-faqen e M100 (www.m100potsdam.org/en).