Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj ka thënë se sot kanë nderuar Ramë Bllacën, një nga heronjtë më të spikatur të Kosovës në gjysmën e parë të shekullit 20 dhe ndër figurat më markante të parlamentarizimit të kësaj kohe.
Hoxhaj në Facebook ka shkruar se Bllaca si deputet, u bë i deleguar me besnik i shqiptarëve në parlamentin e atëhershëm të mbretërisë jugosllave.
“Ai u bë veçanërisht i njohur duke i thënë jo shpërnguljes së dhunshme të shqiptarëve nga Kosova dhe duke i thënë jo kolonizimit të Kosovës nga regjimi i Serbisë së Pashiqit. Kjo kauzë e tij politike u bë edhe vepra e madhe kombëtare e tij në ndalimin e shpërnguljes së bashkëkombësve të vet dhe pengimin e planeve serbe për të spastruar Kosovën nga shqiptarët.
Kështu, kur shpërnguljet ishin shumë masive dhe po arrinin shifra alarmante, ato filluan të ndalonin, ku pjesa dërmuese e shqiptarëve nuk braktisën Kosovën, ndonëse shumë nga ta u shpërngulën në Turqi, ku sot jetojnë”, ka shkruar ndër të tjera ai.