Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka pritur në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin të shoqëruar nga Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde.
Siç ka njoftuar zyra e kryeministrit, në takim u bisedua për progresin në zbatimin e marrëveshjeve të mobilitetit në Procesin e Berlinit, bashkëpunimin rajonal dhe pritjet nga samiti i radhës që në 10-vjetorin e tij do të mbahet në Berlin.
“Kryeministri theksoi që në kohën kur në rajon shtyheshin platforma të tjera paralele, Kosova është angazhuar plotësisht në Procesin e Berlinit duke kërkuar ri-energjizimin dhe fuqizimin e tij si një platformë që ofron barazi dhe përshpejton procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian për vendet që duan të anëtarësohen”, thuhet në njoftim.
Është e rëndësishme që para samitit të radhës të arrijmë jo vetëm marrëveshje të reja por edhe të sigurojmë zbatimin e marrëveshjeve që tashmë kemi nënshkruar, tha Kryeministri dhe e falënderoi z. Sarrazin për kontributin dhe rolin e tij në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Gjermanisë, si dhe në avancimin e bashkëpunimit rajonal”, thuhet në njoftimin e ZKM-së