Bashkimi Evropian e konsideron prioritet organizimin e rundit të ri të dialogut Kosovë-Serbi, në nivel kryenegociatorësh.
Por, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, nuk dha ndonjë datë për një takim të tillë, duke thënë se data do të bëhet publike në një kohë të përshtatshme
Një ditë më parë, i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se do të qëndrojë në Prishtinë për të përgatitur rundin e ri të dialogut, duke mos dhënë më shumë detaje.
“Si zakonisht, takimet i paralajmërojmë kur të jetë e përshtatshme. Takimet në nivel të kryenegociatorëve nuk i paralajmërojmë zakonisht për media. Por, pa dyshim qëllimi ynë është që sa më parë të kemi takim në nivel kryenegociatorësh sepse ka një varg çështjesh për të diskutuar”, tha Stano.
Gjatë konferencës për media në Bruksel, Stano u pyet lidhur me mbylljen e pesë institucioneve paralele serbe nga Kosova javën e kaluar. Ai përsëriti qëndrimin e shprehur nga blloku se këto veprime janë të njëanshme dhe të pakoordinuara, me potencial të rritjes së tensioneve.
Edhe Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar kanë kritikuar veprimet e Kosovës në veri.
Nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se institucionet e mbyllura në veri të Kosovës punonin nën udhëheqjen e Serbisë, duke e “cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”/REL