Përgatitjet për 9 shkurt, Abdixhiku jep detaje për takimin e LDK’së në Istog: Të gatshëm për betejën përpara

by Nexhat

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, dhe kryetarët e degëve të këtij subjekti politik janë mbledhur në një punëtori në Istog.

Abdixhiku ka thënë se LDK-ja po vjen e organizuar, e reformuar, e unifikuar dhe e gatshme për betejën përpara.

Ai ka thënë se niveli i organizimit të punëtorive 5 muaj para zgjedhjeve tregon seriozitetin e paraprirjes për garën e ardhshme elektorale.

“U mblodhëm sot në Istog, tek Iliri, me të gjithë kryetarët e degëve të LDK-së në Kosovë, në punëtorinë dy ditore si përgatitje e plotë për zgjedhjet e 9 shkurtit. Përgjatë këtyre dy ditëve, do t’i shtrojmë të gjitha çeshtjet organizative të Lidhjes Demokratike, nga caktimini shtabeve elektorale, tek përcaktimi i vëzhguesve, komisionerëve e orarit të takimeve që nga tash e deri në fushatë. Lidhja po vjen e organizuar, e reformuar, e unifikuar dhe e gatshme për betejën përpara”.

“Ky nivel i organizimit, 5 muaj më herët, tregon jo vetëm për vitalitetin tonë organizativ, jo vetëm për unitetin tonë partiak, por dhe për seriozitetin e paraprirjes për garën e ardhshme elektorale. Pas hartimit të programit politik nga nëntori i vitit të shkuar, organizimi ynë struktural bëhet ngjarja më e rëndësishme partiake. I tillë siç ka nisur, ai do të përcillet në nivel nacional tek 887 nëndegët tona në Kosovë e në Mërgatë nga tani deri në fushatë. Lidhja Demokratike është gati! Me strukturën tonë, njerëzit tanë, idetë e idealet tona të djathta, programin tonë politik ‘Rruga e Re’, përpjekja për një Kosovë siç e kemi ëndërruar gjithëherë gjenë alternativën e domosdoshme – dhe të vetme! Prandaj, le ta bëjmë rrugën bashkë”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook, të mërkurën. 

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy