Komuna e Prishtinës ka dhënë sot njoftimin për tre kontrata në formë të negociuar pa publikim të njoftimit. Vlera e tyre së bashku është afro 300 mijë euro. Kontratat e tilla janë formë e kritikuar si e dyshimtë e korruptive, shkruan Gazeta Insajderi.
Komuna që udhëhiqet nga Përparim Rama, fillimisht ka dhënë një tender në vlerën prej 50 mijë euro. Kontrata në fjalë është e llojit shërbime dhe u lidh për “Furnizimi me ushqim për qentë endacak në pikat ushqyese dhe QTQE“. Sipas njoftimit të publikuar sot në ëeb-faqen E-Prokurimi, me kontratë u shpërblye kompania “AL-TEC”, me çmimin prej afro 50 mijë euro.
Ndërkaq, njoftimi tjetër për kontratë që u dha nga Komuna kap një vlerë dyfish me të madhe se kontrata e parë. Prishtina dha 157 mijë euro për “Mirëmbajtja e ndërtesave të IEAA Pastrimi i shkollave fillore në Komunën e Prishtinës“. Për pastrimin e shkollave fillore me kontratë të negociuar është rekomanduar “Internacional Group Base”.
Përpos dy kontratave të cekura më sipër, sot u dha edhe njoftimi për një kontratë tjetër. Ky tender u dha për punë shtesë në “Ndërtimi i shkollës së mesme “ 7 Shtatori “-Punë shtesë Ndërtimi i shkollës së mesme “ 7 Shtatori “. Vlera e kësaj kontratë del të jetë 132 mijë euro dhe përfituan kompanitë “Oli Trasing dhe “Beni Dona”.
Kontratat të cilat u dhanë nga Komuna e Prishtinës, janë procedurë e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë. Me këtë procedurë, autoritetet kontraktuese ftojnë një apo disa operatorë që të dorëzojnë oferta ndërkohë tenderimi nuk është i hapur për kompanitë të cilat nuk janë të ftuara.
Kontratat njëburimore janë ngritur si problem për diskutim nga organizatat e shoqërisë civile që e monitorojnë prokurimin publik. Me këtë procedurë komuna për 24 orë i dha tre njoftime.
Ndërsa, kontratat njëburimore mund të lidhen sipas Ligjit të Prokurimit Publik por duhet të plotësohen disa kushte.
Ndër këto kushte sipas nenit 35 janë: Në raste emergjente kur nuk ka kohë për të ndjekur procedurat e zakonshme ose kur ekzistojnë arsye të veçanta teknike ose artistike që justifikojnë përzgjedhjen e një ofruesi të veçantë.
“Nëse, për arsye objektive dhe të detyrueshme teknike ose artistike, kontrata duhet ti ipet një operatori të caktuar ekonomik; Nëse, për arsye të mbrojtjes së të drejtave të pronës intelektuale apo industriale apo të drejtave ekskluzive, kontrata mund t’i ipet vetëm një operatori të caktuar ekonomik;
Nëse, për aq sa është shumë e nevojshme për arsye të emergjencave ekstreme që janë shkaktuar nga ngjarje objektivisht të verifikueshme të cilat nuk kanë pasur mundësi të parashikohen me arsye nga autoriteti përkatës kontraktues, autoriteti i tillë kontraktues nuk mund ta japë kohën e kërkuar për ushtrimin e cilësdo procedurë tjetër që parashtrohet në këtë ligj.”, thotë ligji.