Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë sot se për Kosovën janë përpara kohë të vështira dhe i bëri thirrje Serbisë të bashkohet.
Në profilin e tij në Instagram ai ka dërguar një video mesazh për qytetarët nga tarraca e Presidencës, ku me të ishin kryeministrja Ana Brnabiq dhe ministri i Financave Sinisha Mali.
Ai dëgjohet duke thënë “Të tjerët i ftoj të punojnë, të punojnë, të punojnë, si kurrë më parë, edhe më fort, sepse do ta kemi të vështirë për Kosovën dhe për shumë çështje gjeopolitike. Ftoj Serbinë të bashkohet dhe të mërkurën para ardhjes së presidentes nga India, ose me ardhjen e saj, qytetarët e Serbisë do të marrin shumë lajme të rëndësishme, politike, ekonomike dhe të gjitha të tjerat”, ka thënë Vuçiq.
“Kanë kaluar dhjetë ditë që kur i kam ftuar ata që po protestojnë në rrugë dhe që i kanë bërë disa kërkesa që të vijnë të bisedojmë. Ata nuk janë përgjigjur, nuk janë të interesuar të flasin”, ka thënë Vuçiq.
“Gjërat nuk zgjidhen duke më quajtur mua, Anën, Sinishën, e askënd tjetër, të çmendur, vrasës, kriminelë. Dhe e gjithë kjo duke e ditur se sa shumë e mashtroni publikun. Gjërat zgjidhen me bisedime dhe kompromise. Meqenëse e kemi të gjithë kohen e duhur për të pritur zhvillimin e bisedimeve, ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë, sepse bisedimet janë më të rëndësishmet. Kompromisi është gjithmonë një fjalë e mirë”, ka theksuar Vuçiq.
Ai u shpreh i bindur se në fund dikush nga ta do ta merr guximin për të biseduar dhe do të inkurajohet të fillojë të flasë.
“Nga ana tjetër, nuk kemi kohë për të humbur kur është fjala për Serbinë tonë dhe prandaj në ditët në vijim do të dalim me plane dhe programe të reja, ide të mëdha dhe lajme të jashtëzakonshme për qytetarët tanë, të mërkurën do të zbulojmë gjithçka, ne po punojmë shumë për këtë”, ka thënë Vuçiq.