Kryeministri Edi Rama është takuar me presidentin Joe Biden, gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mëngjesin e sotëm, kreu i qeverisë shqiptare ka ndarë një foto të tij dhe bashkëshortes së tij Linda Rama me presidentin amerikan dhe bashkëshorten e tij Jill Biden.
Krahas fotos kreu i qeverisë shkruan; “Photo of the Day”, (Foto e Ditës) shoqëruar me flamujt shqiptarë dhe amerikanë.
Rama ndodhet prej ditësh në SHBA, ku fillimisht mori pjesë dhe foli në takimin vjetor të Kombeve të Bashkuara ‘Samiti për të Ardhmen’, me temë “Dialogu për të ardhmen digjitale”.
Kreu i qeverisë shqiptare mori pjesë në takimin vjetor të Presidiumit të Internacionales Socialiste, në cilësinë e kryetarit të Partisë Socialiste. Rama është zv/president i Presidiumit të Internacionales Socialiste.
Gjithashtu me ftesë të aktivistit të njohur shqiptar dhe kreut të Këshillit Kombëtar të Diasporës, Mark Gjonaj, Rama zhvilloi një bashkëbisedim me përfaqësuesit e 100 shoqatave të shqiptarëve të Amerikës.