Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurtin, për sulmin ndaj mediave. Çitaku shprehet se kjo qasje e kryeministrit është ‘jo etike, jo patriotike, e papërgjegjshme dhe neveritëse’. ‘Polarizimi, popullizmi dhe armiqësimi janë mjetet e vetme të punës që e njeh kjo kastë qeverisëse’, shton tutje Çitaku.
Postimi i plotë:
“Në vend që të angazhohet për t’i sjellë Kosovës ndonjë njohje apo investim, Kryeministri paska shkuar në New York për të marrë pjesë në një takim të Internacionales Socialiste, dhe aty paska zgjedhur që të sulmojë mediat dhe “regjimin e vjetër”. Në mungesë të sukseseve në qeverisje, gjuha e Kryeministrit është reduktuar në akuza, sharje e shpifje për këdo që nuk mendon si ai”, shkroi ajo në Facebook.
Ky reagim ka ardhur pas sulmit ndaj medieve që Albin Kurti e ka bërë në fjalimin e tij në Presidiumin vjetor të Internacionales Socialiste ku ka thënë se “Regjimi i vjetër ka humbur fuqinë e vet politike, por jo edhe paratë e tyre të pista. Të frikësuar nga Byroja për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, që është në proces të bërjes, ata synojnë të frikësojnë edhe të tjerët po ashtu, duke shpërndarë para tek media të caktuara online që krijojnë shumë lajme të rreme e dezinformata”.