Ministri Maqedonci | Arsyetimi i Serbisë për vendosjen e ushtrisë te kufiri me Kosovën i paqendrueshëm

by engel

Ndaj deklarates së autoriteteve serbe me të cilen e kanë arsyeruar vendosjen e ushtrisë pranë kufirit me Kosovën, ka reaguar ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci i cili ka thënë se Serbia pas rasteve të tilla gjithmonë mundohet të arsyetohet.

“Prej kur paska filluar ushtria serbe të kryej detyra të ruajtjes së pyjeve dhe për më tepër me ushtarë të armatosur me armë dhe pajisje taktike si dhe me automjete të blinduara ushtarake? Sepse sipas ligjit të pyjeve të Republikës së Serbisë, konkretisht në nenin 40 të tij, është përcaktuar qartë se rojet e pyjeve në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujërave janë të vetmit zyrtarë për ruajtjen e pyjeve dhe pengimin e prerjes ilegale të tyre brenda territorit të Serbisë. Në vazhdimësi, Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Serbisë përpiqet që prezencën e shtuar ushtarake të ushtarëve serbë në afërsi të territorit të Republikës së Kosovës, ta arsyetoj duke përdorur justifikime tërësisht të paqëndrushme, siç përpiqet që edhe ushtrimet me avionë luftarakë sulmues dhe dronë vetvrasës sulmues, siç ishte ushtrimi “Vihor 2024” në Peshter, t’i paraqes si përgatitje ushtarake për mbrojtje të territorit”, ka shkruar Maqedonci.

Ai ka thënë se veprime të tilla të Serbisë janë tregues të qasjes hegjemoniste dhe agresive të Serbisë në raport me Kosovën dhe fqinjët e tjerë.

“Militarizimi i vazhdueshëm i Serbisë dhe veçanërisht vendosja e shumë kapaciteteve ushtarake në jug të territorit të saj, është një tregues për vazhdimësinë e qasjes hegjemoniste dhe agresive të Serbisë në raport me Kosovën dhe fqinjët e tjerë. Gjithsesi, Republika e Kosovës qëndron e palëkundur në rrugëtimin e saj për integrime euro-atlantike dhe do të mbetet gjithmonë e vendosur që të zhvilloj kapacitete ushtarake sipas standardeve të NATO-s, të afta për të mbrojtur territorin dhe sovranitetin e vendit dhe për të kontribuar për paqe dhe siguri në botë”, ka shkruar Maqedonci.

Kryeministri Albin Kurti, mbrëmë tha se forcat e ushtrisë serbe janë afruar rreth 50 metra afër kufirit në ditën e shtunë, duke thënë se trupat ushtarake serbe janë larguar pasi kanë vërejtur se autoritetet e Kosovës i kanë incizuar veprimet e tyre.

Por, ndaj këtij deklarimi të Kurtit, reagoi Ministria serbe e Mbrojtjes e cila ka akuzuar Kurtin për “vazhdim të fushatës dezinformuese kundër ushtrisë dhe forcave serbe të sigurisë”, duke thënë se “autoritetet e sigurisë me aktivitetet e tyre kanë ndalur aktivitetet ilegale të bartjes së lëndëve drunore në territorin e Kosovës, me ç ‘rast hajdutët e drunjve kanë ikur në Kosovë”.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy