Diaspora përmes Organizatës së Akademikëve dhe Studentëve Shqiptare në Hamburg, ka kërkuar nga kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, heqjen e shtetësisë serbe për kosovarët në Republikën Federale të Gjermanisë.
Përmes një letre, kjo organizatë konsideron se kjo praktikë vazhdon të aplikohet edhe pas ndërhyrjes së NATO-s në luftën e Kosovës dhe shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.
Në kërkesën e tyre, ata theksojnë rëndësinë e ndryshimit të ligjit të shtetësisë gjermane dhe udhëzimeve të ardhshme, duke kërkuar që shtetësia serbe të shfuqizohet për kosovarët dhe shqiptarët etnikë që jetojnë në Gjermani.
“Është e papranueshme që qytetarët kosovarë të vazhdojnë të regjistrohen me shtetësi serbe, përkundër faktit që Gjermania ka njohur pavarësinë e Kosovës që nga viti 2008. Kjo situatë krijon ndasi të padrejta në trajtimin e qytetarëve”, thuhet mes tjerash në letër.
Në fund, organizata ka kërkuar që kjo praktikë të përfundojë dhe të fshihet automatikisht shtetësia serbe për të gjithë kosovarët, duke përfshirë edhe fëmijët e lindur në Gjermani, të cilët nuk duhet ta trashëgojnë këtë shtetësi.
Me një komunitet prej 565 mijë shqiptarësh të mirë integruar në Gjermani, organizata shprehet e gatshme për një takim me përfaqësuesit qeveritarë për të diskutuar më tej këtë çështje të ndjeshme./Klan Kosova