Shqipëria çel negociatat për grup-kapitullin e parë, Rama: Brenda dekadës të jemi gati për në BE

by Nexhat

Shqipëria çel sot negociatat për grupkapitullin e parë me Bashkimin Europian. Për Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama ky hap është gurthemeli historik në rrugëtimin e përbashkët drejt ribashkimit tërësor europian.

Në një deklaratë të përbashkët me Péter Szijjártó, ministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë të Hungarisë, e cila mban edhe presidencën e radhës së BE-së dhe Komisionerin e BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi, Rama vlerësoi se çelja e grup-kapitullit të “Themeloreve” sot me 5 kapitujt kryesorë dhe 3 kriteret, përbën një arritje të madhe për të dyja palët, si për Shqipërinë, ashtu edhe për BE-në.

“Nuk na duhet një kujtesë e rëndësisë për të qëndruar e punuar së bashku të lidhur nga parimet dhe vlerat që përkufizojnë BE-në. Kjo është veçanërisht e vërtetë në këto kohëra sfiduese kur një mori krizash na janë qasur me nevojën për të qenë më pranë dhe për të qëndruar të gjithë së bashku dhe nevojën e mirëfilltë për t’u përballur me veten dhe kuptuar mënyrën për të ecur para”, u shpreh Rama.

Më tej kryeministri i Shqipërisë shprehu se “synohet ta përmbyllim këtë proces brenda kësaj dekade dhe të trokasim në dyert e Këshillit Evropian si shtet anëtar”.

“Kjo është shumë ambicioze. Kërkon një volum të jashtëzakonshëm pune. Kemi punuar shumë pranë me Komisionin. Kemi ngritur dhe ndërtuar një udhërrëfyes mjaft ambicioz. Ne po ashtu mbështetemi tek miqtë dhe partnerët tanë për të na ndihmuar për të arritur këtë gjë. Kur them për të na ndihmuar. Kjo është dykrahëshe, jo vetëm politikisht, ekonomikisht, por edhe teknikisht, pasi kemi nevojë për dije. Kemi nevojë për mbështetjen e trurit”, tha Rama.

Ai solli në vëmendje një deklaratë të eurokomisionerit Varhelyi, që në “Shqipëri ka nisur të ndërtohet Europa”.

“Çfarë është e rëndësishme për ne është ta bëjmë Shqipërinë një vend anëtar për mënryën se si funksionon dhe kjo është gjëja më e rëndësishme sepse nuk duam që Shqipëria të largohet, të marrë çantat dhe të vijë në Bruksel. Duam që BE të vijë në Shqipëri. Varhelyi tha “në Shqipëri kemi nisur të ndërtojmë Europën, dhe është pikërisht ajo që duam të përfundojmë”, nënvizoi më tej kryeministri Rama.

Ky proces sipas kryeministrit të Shqipërisë mori një shpejtësi të re, pas agresionit të Putin në Ukrainë.

“Ky agresion shërbeu si një zile zgjimi që i kujtoi Evropës që iluzioni i vetëmjaftueshmërisë është vetëm një iluzion dhe të qartësojë në mënyrën më të vështirë, se keni nevojë për Ballkanit Perëndimor, po aq sa Ballkani Perëndimor ka nevojë për BE-në”, tha Rama.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy