Komisioneri për Zgjerimin i BE-së, Oliver Varhelyi ka theksuar sot se “angazhimi i fortë i Shqipërisë në procesin reformues drejt BE bëri që javën e kaluar të hapnim grupin e parë të kapitujve negociues, themeloret, në kuadër të Konferencës Ndërqeveritare”.
Varhelyi e ka dhënë këtë koment në rrjetin social X, një javë pas vendimit historik për hapjen e negociatave me Shqipërinë për kapitujt themelorë
“Ne i japim Shqipërisë gjithë mbështetjen për të përshpejtuar procesin e reformave, në mënyrë që vendi të jetë anëtar i BE-së deri në fund të mandatit të ardhshëm”, shkruan më tej Varhelyi.
Në videon e publikuar prej komisionerit shfaqen projektet dhe investimet e BE në Shqipëri, teksa komisioneri thotë se “ne kemi filluar ta ndërtojmë Evropën në Shqipëri”.
“Bypassi i Vlorës që inaguruam, Kolegji i Europës, i pari në Ballkan, etj, qoftë konektiviteti, qoftë energjia, qoftë mjedisi, qoftë trajtimi i ujërave apo i mbetjeve, në të gjitha aspektet e jetesës së përditshme, por mbi të gjitha plani i rritjes, do t’u ndihmojë juve të përshpejtoni reformat që ju mundësojnë anëtarësimin”, deklaron Varhelyi.
Lista e rezultateve sipas tij është shumë e gjatë, por të gjitha këto erdhën sepse Shqipëria nuk hezitoi kurrë të bënte çdo gjë që kërkohet në rrugëtimin evropian