Leksioni i Hitlerit për Trumpin dhe të tjerët: Besnikëria totale ndaj liderit shkakton vetëm katastrofa!

by Merita

Duket se Donald Trump e ka të vështirë që të hapë gojën dhe të mos tronditë apo shfaqë injorancën e tij të madhe mbi ato që thotë. Ai ia doli t’i bëjë të dyja njëkohësisht këtë javë, kur u raportuan komentet që ai thuhet se ka bërë më herët për Adolf Hitlerin.

Sipas ish-shefit të shtabit të Donald Trump si president, John Kelly, Trump e lavdëroi hapur udhëheqësin e Gjermanisë naziste, duke thënë se ai “ka bërë disa gjëra të mira”. Më konkretisht, ai donte që stafi i tij të ishte më shumë si “gjeneralët gjermanë në Luftën e Dytë Botërore”, sepse ata ishin “plotësisht besnikë” ndaj Hitlerit.

Këto deklarata e nxitën rivalen e tij demokrate Kamala Harris, që ta quante Trumpin një “fashist”. Një zëdhënës i Trumpit reagoi menjëherë, duke hedhur poshtë pretendimin se Trump ka bërë ndonjëherë një koment të tillë.

Megjithatë, Kelly nuk është i pari që ka bërë pretendime në lidhje me komentet e supozuara private të Donald Trumpit për Hitlerin. Edhe pse është thelbësor fakti që ai është i pari që flet publikisht për këtë çështje. Sigurisht, ish-presidenti nuk e ka fshehur se pret besnikëri totale nga ata që e rrethojnë.

Një nga këshilltarët e tij kryesore, Howard Lutnick, bashkëkryetar i “ekipit të tij të tranzicionit”, e pranoi këtë gjë 2 javë më parë. Ndaj nëse Donald Trump zgjidhet sërish president, kushdo që i ka shërbyer atij do të duhet të tregojë “besnikëri”, theksoi Lutnick.

Gjeneralët e Adolf Hitlerit nuk kishin shumë zgjidhje, veçse të tregonin “besnikëri totale” ndaj tij. Nëse nuk i bindeshin çdo fjale dhe tekave të tij, atëherë do të pushkatoheshin në vend. Por në vend se të ishte një aset i vyer, kjo qasje radikale dhe ekstreme, doli të ishte një e metë me pasoja fatale.

Në rast se se Trump do të kishte biseduar me çdo historian të Luftës së Dytë Botërore, ata do t’i kishin thënë se kërkesa e Hitlerit për “besnikëri totale” nga gjeneralët e tij, ishte një nga arsyet kryesore pse ai e humbi luftën. Në mendjen e deformuar të Hitlerit, ajo do të thoshte “bindje totale’.

Herë pas here, ai i hodhi poshtë këshillat e ekspertëve të tij, dhe herë pas here kjo qasje shkaktoi humbje të mëdha në radhët e gjermanëve, dhe në fund në disfatën e Hitlerit. Sikur Trump ta kishte lexuar librin e fundit nga gazetari, biografi i mbretit Charles dhe historiani i Luftës së Dytë Botërore, Jonathan Dimbleby “Fundloja e vitit 1944”!

Përmes një rrëfimi të humbjes së Hitlerit përballë rusëve në Frontin Lindor në vitin 1944, Dimbleby dokumenton se si në raste të panumërta, versioni i “besnikërisë totale” ndaj Hitlerit solli në fund pasoja katastrofike për Gjermaninë naziste.

Ai përshkruan në libër tablonë e një njeriu, arroganca, vaniteti, kokëfortësia, marrëzia dhe sjelljet e çuditshme të të cilit, e bënë të besonte se ai i dinte gjithmonë gjërat më mirë se gjeneralët e tij në terren. Ata pak që guxuan ta sfidojnë – jo nga pabesia, por nga dëshira për të marrë vendimin e duhur ushtarak – e tërbuan nga zemërimi Fyhrerin, u kapën dhe u eliminuan si tradhtarë.

Ata që nuk e kundërshtuan dhe zbatuan urdhrat e tij, iu doli pak më mirë:atyre iu desh të shihnin se si qindra, dhe ndonjëherë mijëra ushtarë gjermanë, humbën jetën pa asnjë nevojë, teksa aleatët marshonin pandalshëm përpara drejt Gjermanisë.

Duke përshkruar një nga shembujt e shumtë, ku Hitleri refuzoi që të dëgjonte këshillat e gjeneralëve të tij, gjë që solli më pas pasoja katastrofike, Dimbleby shkruan: “Vendimi i tij i fundit, shërbeu vetëm për të ilustruar më së miri kokëfortësinë e tij dhe mospërfilljen totale ndaj jetës së njerëzve.

Qyteti do të mbahej me çdo kusht, edhe nëse kjo do të thoshte të sakrifikonte jetën e dhjetëra mijëra ushtarëve besnikë gjermanë në altarin e egos së tij. Në fakt, Trump e ka gabim:jo të gjithë gjeneralët e Hitlerit e mbështetën atë në mënyrë të verbër.

Dimbleby thekson më tej se ndërsa lufta përparonte dhe po afrohej humbja “Hitleri imponoi vizionin e tij të paepur mbi ata gjeneralë të pakënaqur që e kishin humbur besimin” tek ai.

Vetë Trump i ka mbijetuar kohët e fundit dy tentativave për vrasje.

Ju mund të mendoni se ai e dinte se edhe Hitleri i mbijetoi një sërë përpjekjesh për ta vrarë, madje edhe nga oficerët e ushtrisë jo besnike, veçanërisht nga koloneli Claus von Stauffenberg, i cili në korrikun e vitit 1944, vendosi një çantë me një bombë nën tryezën ku Hitleri po drejtonte një mbledhje në shtabin e tij të luftës.

Bomba shpërtheu, por Hitleri vetëm u plagos. Von Stauffenberg dhe 200 bashkëpunëtorët e komplotit u kapën dhe ekzekutuan me vdekje. Ashtu si von Stauffenberg, ish gjenerali i Korpusit Detar të SHBA-së Kelly, që bëri akuzat e forta kundër Trump, kishte qenë më parë “plotësisht besnik” ndaj ish-shefit të tij.

Ashtu si Von Stauffenberg, edhe Kelly duket të jetë një njeri i nderuar dhe i denjë. Është e qartë se këtu nevojitet një ndjenjë proporcioni. Fati i Kelly-t për atë që Trump e pa si një atentat politik të mbetur në tentativë, ishte sulmi përmes një serie kundër-akuzash nga ana e Trump, që e quajti ndër të tjera një “njëri të degjeneruar dhe të ulët” ish-bashkëpunëtorin e tij të ngushtë.

Ju mund ta imagjinoni Trumpin të shkumëzonte teksa artikulonte fjalë të tilla. Është e vështirë të besohet se Donald Trump nuk ka dijeni për të gjitha gabimet e tjera të bëra nga Hitleri dhe gjeneralët e tij “plotësisht besnikë”.

Mes tyre ishte përsëritja e gabimit të dikurshëm të perandorit të Francës Napoleonit me pushtimin e Rusisë; shpalljen e kotë e luftës ndaj SHBA-së pas sulmit të aviacionit japonez kundër bazës amerikane Pearl Harbor; apo besimin e gabuar se zbarkimi aleat i D-Day do të ndodhte në ngushticën e Calais dhe jo në Normandi.

Apo lejimin e largimit të trupave britanike që të evakuoheshin me sukses nga Dunkirk. Këto janë vetëm 4 nga gafat e shumta të ushtrisë gjermane. Nëse do të mendoja se ai do ta lexonte vërtet, unë do t’ia dërgoja me kënaqësi ish-presidentit një kopje të librit të shkëlqyer të Dimbleby-t mbi Luftën e Dytë Botërore./The Independent”.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy