Gazetari Vehbi Kajtazi, sot gjatë ditës ka bërë të ditur se gjatë një kontrolle servisi në veturën e tij i është gjetur një gjurmues GPS në veturën e tij personale. Në një tjetër reagim, Kajtazi ka thënë se më nuk ndihet i sigurt, derisa ka shtuar që ky rast konfirmon që s’ka siguri as juridike e as fizike.
Përmes një postimi, Kajtazi ka kërkuar që gjatë procesit të ekzaminimit të pajisjes, të jenë të pranishëm edhe avokatët e tij, raporton gazeta online Reporteri.net.
Njëherit, ai ka thënë se pajisja është prodhim britanik dhe ka një SIM kartelë e internet, që sipas tij, është lehtë e verifikueshme se kujt i përket.
Pajisja e dyshimtë në veturën e gazetarit Vehbi Kajtazi, Policia: Hetimi po zhvillohet në bashkëpunim me Prokurorinë
“Siç jeni te njoftuar, sot rreth orës 10:00 paradite kam dërguar veturën për kontroll në servis. Gjatë kontrollit është zbuluar një pajisje e dyshimtë ngjitur në shasi, në anën e majtë prapa. Menjëherë kam kontaktuar Policinë e Kosovës. Pas ardhjes së një patrulle të stacionit të Graçanicës, është kontaktuar njësia kundër bombave e Policisë dhe Krimet e Rënda. Njesitët e specializuara kanë tërhequr këtë pajisje dhe kanë konstatuar së është GPS, me numër serik. Është bërë kontrolli i veturës për ndonjë mjet tjetër të dyshimtë, por nuk është zbuluar ndonjë gjë. Unë tashme nuk ndjehem i sigurt, ndonëse nuk ua kam frikën. Po konfirmohet se nuk ka siguri juridike më. Mbase as fizike. Pajisja është prodhim britanik me SIM kartë dhe internet. Është lehtë e verifikueshme se kujt i përket”, ka shkruar gazetari në Facebook.
Në përfundim, Kajtazi ka kërkuar që këtë rast ta trajtojë Prokuroria Speciale, derisa është shprehur i shqetësuar për “përndjekje nga pushteti”.
Ndërkaq, sot gjatë ditës themeluesi dhe drejtuesi i mediumit “Paparaci” ka bërë të ditur se pajisja e dyshimtë është zbuluar gjatë një kontrolli në servis të veturës së tij.
“Sot kam sjell veturën në servis për kontroll. Gjatë kontrollit është zbuluar se në veturën time është një pajisje e dyshimtë e vendosur në anën e majtë afër rrotës”, thuhej në postimin e gazetarit.
Ndryshe, nga Policia e Kosovës kanë konfirmuar se kanë nisur hetimet për rastin e gjetjes së një pajisjeje të dyshimtë në veturën e gazetarit Kajtazi.
“Pas pranimi të këtyre informacioneve nga Policia e Kosovës janë ndërmarr veprime të menjëhershme policore, është intervistuar gazetari në fjalë dhe këto informacione (edhe një pajisje/dëshmi që sipas informatave fillestare dyshohet të jetë GPS), janë duke u trajtuar në bashkëpunim me prokurorinë për të sqaruar rrethanat dhe dyshimet e tjera, përfshirë këtu edhe angazhimin e profesionistëve të Policisë së Kosovës që merren me trajtimin e mjeteve apo pajisjeve të dyshimta.”, kanë thënë në një përgjigje për Reporteri.net nga Drejtoria për Informim dhe Marrdhënie me Publikun në Policinë e Kosovës.
Për rastin në fjalë ka reaguar edhe AGK-ja.