Besnik Velija, redaktor në Gazetën Express dhe anëtar i bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, në emisionin “Frontal” të T7 ka folur për rastin e gjetjes së një pajisjeje gjurmuese që e gjeti sot gazetari Vehbi Kajtazi në veturën e tij.
Velija ka deklaruar se duhet të zbardhen sa më shpejt rrethanat e rastit nga institucionet e sigurisë dhe ka theksuar se si AGK janë të shqetësuar për këtë ngjarje.
“Si AGK presim një konfirmim zyrtar nga autoritetet e Kosovës lidhur me rastin konkret. Nuk mund të lëshohemi në asnjë aludim në atë se kush mund të jetë prapa vendosjes së kësaj pajisjes”, ka deklaruar Velija.
Velija duke folur në përgjithësi për gjendjene medias në Kosovës, ka deklaruar se cilido institucion që vihet në shërbim të politikës për të intimiduar gazetarët apo për t’iu bërë presion atyre, e dëmton rëndë lirinë e shprehjes dhe e dëmton rëndë ambientin e të bërit gazetari.
“Mendoj se çfarëdo përndjekje, po flasë në përgjithësi, që mund ti bëhet gazetarëve për qëllime ose nga institucionet e shtetit për qëllime politike apo për çfarëdo qëllimi e dëmton demokracinë, lirinë e shprehjes dhe ambientin e të bërit gazetari”, ka shtuar Velija.
“Secili institucion që vihet në shërbim të politikës për të intimiduar ose për t’i bërë presion gazetarëve e dëmton jashtëzakonisht lirinë e medias, e shprehjes, të shtypit dhe demokracisë”, tha ai në “Frontal”.
Besnik Velija ka folur edhe për Raportin e Progresit dhe ka përmendur të gjeutrat e Raportit, lidhur me lirinë e shprehjes, progresin e kufizuar dhe shqetësimet e ngritura nga raporti lidhur me mosndëshkueshmërinë e rasteve të sulmeve ndaj gazetarëve dhe gjendjen në Transmetuesin Publik.