Të shtunën u raportua se Policia në Gjilan ka arrestuar dy burra dhe një grua, nën dyshimin se kanë tentuar që me dokumente të rrejshme të bëjnë një kontratë te noteri, autorizim për shitje të një parcele në vlerë rreth 250 mijë euro.
Në këtë rast është i përfshirë edhe një tjetër i dyshuar, por ai gjendet në arrati.
Sinajli raporton se emrat e të dyshuarve janë Selami Mehmeti, Dashurije Neziraj, Isak Nuha dhe Shpend Bobaj. Ky i fundit është personi i cili gjendet në arrati.
Sipas raportimit të Sinjalit, Dashurije Neziri, është kapur me një letërnjoftim të falsifikuar, që kishte të dhënat personale të pronares legjitime të pronës, të cilën ky grup po tentonte ta shiste.
Ajo dyshohet se duke u paraqitur si pronare, kishte kryer procedurat te noteri për autorizimin që parcela të shitet.
Policia ka arritur që t’i kap të dyshuarit pasi ishte bërë kontrata te një noter në Gjilan dhe t’i arrestojë tre prej tyre.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit që u kapën janë dërguar në mbajtje dhe ndaj tyre është ushtruar kërkesa për masën e sigurisë.
Vërejtje:
Personat e përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohen të pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.