Një 14 vjeçare dyshohet se është droguar e më pas dhunuar nga pesë persona në një objekt në Prishtinë.
Lidhur me rastin, në një përgjigje për T7, është deklaruar Qendra për Punë Sociale në Prishtinë.
Nga QPS kanë thënë se e mitura ka dhënë deklaratë në Polici dhe më pas është bashkuar me prindërit e saj biologjikë.
“Gjatë fundjavës, gjegjësisht me datë, 03.11.2024 gjatë orës 11:00 – 12:00. Zyrtari i QPS-së në orarin e kujdestarisë ka prezantuar në marrjen e deklaratës së të miturës N.N (14 vjeçare). E mitura në polici ka dhënë deklaratë dhe janë vazhduar disa procedura, ndërsa vajza e mitur është bashkuar më prindërit e saj biologjik dhe ka shkuar në familje.”
QPS në Prishtinë thotë se rasti është kompetencë territoriale e QPS’së në Prizren.
“Rasti është në kompetencë territoriale të QPS Prizren dhe është referuar si rast dhe janë informuar për veprimet e ndërmarra në rast. Për më shumë informata ju lutem të kontaktoni QPS Prizren pasi që janë kompetent për rastin ne fjalë.”
Sinjali ka raportuar se e mitura ka rrëfyer se rasti ka ndodhur në një objekt në ndërtim e sipër dhe se të dyshuarit fillimisht e kanë detyruar vajzën të konsumojë substanca narkotike dhe pasi e kanë droguar, dyshohet se e kanë dhunuar.
Policia, përmes raportit 24 orësh, ka thënë se janë duke e hetuar bashkë me prokurorinë.
“DHUNIM- Prishtinë / 03.11.2024 – 01:00. Lidhur me rastin e lartcekur Policia e Kosovës në bashkëpunim me prokurorinë kompetente është duke bërë hetime intensive. Me vendim të prokurorit viktima femër kosovare është dërguar për ekzaminim mjekësor.”