Dy ditë më parë në Amerikë u zhvilluan zgjedhjet presidenciale, ato u fituan nga kandidati republikan, Donald Trump, i cili arriti fitore bindëse ndaj kandidates demokrate Kamala Harris.
E siç duket ardhja në pushtet e Donald Trump, për të dytën herë në Amerikë do të sjellë shumë ndryshime jo vetëm në Amerikë, por në gjithë botën. Ndryshime pritet të ketë edhe sa i përket Ballkanit, e kjo gjë u paralajmërua nga shumë njohës të këtyre marrëdhënieve.
Në lidhje me këto ndryshime politike, lajmi.net ka kontaktuar ish-kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa. AI deklaroi se zgjedhja e Donald Trump është vullnet i qytetarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe se beson që Trump do të përmbushë pritjet e tyre.
Sipas Mustafës, Kosova ka pasur përkrahjen e qeverisë në kohën e Trump, por ka pasur edhe kërkesa të cilat janë shpërfillur nga ata që sot janë në Qeveri, Presidencë e në Kuvend.
“Kosova ka pasur përkrahjen e qeverisë në kohën e Trump, por ka pasur edhe kërkesa të cilat janë shpërfillë nga ata që sot janë në Qeveri, Presidencë dhe në Kuvend”, deklaroi Mustafa.
Sipas Mustafës, nëse sillemi si më parë, s’fitojmë asgjë, jo nga Donald Trump, por nga asnjë qeveri “siç edhe ndodhi me atë të Bajden”.
“Kemi kuadrat ë mira që kanë kultivuar bashkëpunim të frytshëm me Qeverinë Trump 1, megjithëse disa janë izoluar disa janë skajuar (ose diferencuar si në kohën e komunizmit)”, shtoi ai.
Ish-lideri i LDK-së tha se duhet të “mbushemi mend, ne jemi problemi, jo, Trump apo Grenell”.
E në Kosovë bujë të madhe bëri fitorja e Donald Trump pikërisht për shkak të disa deklarimeve që njerëzit e parë të shtetit kishin bërë për Trump-in dhe bashkëpunëtorin e tij të besueshëm, Richard Grenell.
Shumë prej liderëve kosovarë i kishin quajtur ata si “skandaloz” e të cilat nuk e duan askënd, e që mendojnë vetëm për interesat e tyre.