Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot në takim njoftues Përfaqësuesin e ri Special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Eirik Nestas Mathisen, dhe njëherit në takim lamtumirës përfaqësuesin e deritashëm, Haakon Blankenborg.
Sipas njoftimit të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, Kurti me emisarin e ri kanë diskutuar për forcimin e marrëdhënieve bilaterale, për çështjet rajonale dhe temat me interes të përbashkët.
“Kryeministri theksoi se Marrëveshja Tregtare mes Republikës së Kosovës dhe vendeve të EFTA-s, ku përfshihet Norvegjia, paraqet mundësi të reja për thellimin e marrëdhënieve tregtare dhe raporteve bilaterale”, thuhet në njoftim.
Në këtë takim, Kurti ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Norvegjisë në zhvillimin socio-ekonomik të Kosovës.