Me tjetër sy po këqyren kalimtarët e panjohur përgjatë rrugës kryesore “Ejup Statovci” dhe rrugicave që zgjaten prej saj në lagjen multietnike, të njohur gjerësisht si “Sallahane”, në Ferizaj. Ngapak frikë, e në shprehje vërehet dukshëm heshtje, krejt si pasojë e asaj çfarë ndodhi ditë më parë ndaj katër qytetarëve joshumicë në po ato udhë.
“Prej të martës gati krejt mahalla po i çojmë e po i marrim fëmitë pej shkolle”, thotë një prind në fund të njëzetave pasi ndahet prej një turme burrash para një kafeneje, ku po mbahej një e pame. “Jo, është dekë me ren”, shton burri, që nuk dëshiron të identifikohet, teksa flet për tronditjen që e ka shkaktuar therja me thikë e katër pjesëtarëve të komuniteteve pakicë në pasditen e 11 nëntorit në tri lokacione të ndryshme në Ferizaj.
Sulmuesi F.I. është dorëzuar në orët e hershme të 12 nëntorit dhe gjykata më pas ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për paraburgim prej 30 ditësh për therjen e dy vajzave të mitura nga Podujeva, një burri nga Ferizaj dhe një shtetasi nga Shqipëria.
Teksa rasti ende gjendet në procedura, ky sulm i ka trembur qytetarët e tjerë që i përkasin komuniteteve joshumicë, anipse raste të tilla të sulmit me bazë etnike nuk kanë ndodhur në dy vitet e fundit sipas të dhënave zyrtare nga prokuroritë themelore.
“Ngriti panik, me të thanë të drejtën”
“Ngriti panik, me të thanë të drejtën, sepse fëmija nuk mujshin me kuptu pse ka ardhë deri te qajo”, thotë Rexhep Bajrami, udhëheqës i Zyrës për komunitete në komunën e Ferizajt dhe banor i lagjes multietnike, ku ka edhe shkollën e tij multietnike të karatesë, prej së cilës ka dalë edhe një kampione Evrope për të reja.
Prokuroria në Ferizaj ka bërë të ditur se ekziston dyshimi i bazuar se sulmi u krye me dashje për shkak të përkatësisë etnike të viktimave.
“I ka sulmu për shkak të ngjyrës. Dy motrat, çika të motrës të kunatës tem nga Podujeva, ashkalike, ky djali i ‘Sallahanes’ egjiptian, dhe ai tjetri atje te ‘Rruga e Gilanit’, rom i Shqipërisë. Krejt ma….”, thotë Naser Emini para dyerve të përbashkëta të vëllezërve në rrugën “Rifat Berisha”, ku u sulmuan të miturat. “…krejt ngjyrën e ftyrës… ma zeshkana”, thotë Emini, i cili me familjarë i kishte dërguar të miturat në Spitalin e Ferizajt.
Raporti policor ka treguar se F.I, sulmin e parë me thikën e markës “Berlinger House” e kishte kryer përgjatë rrugës “Enver Topalli” rreth orës 15:05 minuta, pastaj të dytin në 15:30 ndaj vajzave në rrugën që lidhet me të – të njohur në Ferizaj si “Rruga e Gremes” – dhe të tretin ndaj shtetasit nga Shqipëria në 15:53 në “Halim Spahiu”, në anën e kundërt të qytetit, derisa i sulmuari dhe babai i tij po mblidhnin kanaçe në një kontejner mbeturinash.
“I ka dalë prapa dhe ia ka ngulë thikën e ka ec”, thekson një pronar biznesi, i cili nuk dëshiron të identifikohet, e që e kishte parë me sytë e tij dhe e kishte njoftuar policinë.
“Ky është një reagim i natyrshëm…”
Bajram Ilazi, aktivist ashkali nga komuna e Shtimes, por që ka punuar me OJQ të ndryshme edhe në Ferizaj, Lipjan e Prishtinë, thotë se sulmi i fundit ka treguar se pavarësisht përparimeve me përfshirjen e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, racizmi vazhdon të mbetet problem serioz për shoqërinë kosovare.
“Komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, që nga paslufta, kanë kaluar frikën e pasigurisë dhe të lëvizjes së lirë, sepse janë qytetarë të këtij vendi për shekuj me radhë. Megjithatë, kur ndodhin raste ku këto grupe specifikisht targetohen, ato mund të krijojnë shqetësim dhe frikë”, thotë Ilazi i cili punon në organizatën “Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve”.
“Ky është një reagim i natyrshëm për secilën kategori të shoqërisë, kur e di që mund të bëhesh objekt i një sulmi”, shtoi Ilazi.
Prokuroria Speciale ka thënë për Kallxo.com se bazuar në shënimet për vitet 2023 dhe 2024 nuk ka pranuar ose zgjidhur raste të sulmeve me bazë të përkatësisë etnike ndaj qytetarëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.
Sulme me motive etnike ndaj romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve nuk ka pasur së fundmi as në rajonin e Mitrovicës, as të Prizrenit, Gjakovës dhe Gjilanit, kanë bërë të ditur prokuroritë themelore të këtyre qyteteve.
Por njësoj nuk haset edhe në Ferizaj, pasiqë rasti i 11 nëntorit ka bërë që të jetë i vetmi në këto dy vitet e fundit.
“Duke iu referuar kërkesës suaj për të dhëna ndaj sulmeve me bazë përkatësinë etnike, ju njoftojmë se sipas evidencave të shkrimores së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, në dy vitet e fundit është vetëm një (1) rast, konkretisht rasti i ditës 11 nëntor 2024 të sulmit me thikë në qytetin e Ferizajt ndaj katër personave”, ka njoftuar Prokuroria Themelore e Ferizajt për Kallxo.com.
Burime të KALLXO.com bëjnë me dije se i dyshuari për vrasje të rëndë në tentativë kishte qenë i dënuar për vrasje. Siç bëhet e ditur, i dyshuari ka qenë i dënuar me burgim dhe siç mësohet nga burgu është liruar në shkurt të këtij viti.
Të drejtat e barabarta në letër
Shumica shqiptare, por edhe qytetarët e tjerë të komuniteteve, kanë vuajtur për dekada me radhë prej diskriminimit nën pushtimin serb. Dhuna sistematike do të përshkallëzohej në luftë në pranverën e vitit 1998 kur forcat serbe nisën fushatat e vrasjeve dhe masakrave masive kryesisht ndaj shqiptarëve civilë kur Slobodan Milosheviqi e nisi luftën e fundit në Jugosllavinë e shkërmoqur përgjakshëm.
Gjatë muajve të parë të pasluftës ka pasur vrasje të qytetarëve të të gjitha etnive, por jo fushata të organizuara kundër komuniteteve pakicë. Dhe, edhe në Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë, republika më e re në Evropë do të shpallej shtet multietnik. Kosova garanton me Kushtetutë dhe ligje të drejtat themelore për qytetarët e saj pa dallim etnie. Me këto akte, Kosova ka rezervuar dhjetë mandate deputetësh për komunitetet joserbe dhe dhjetë të tjera për serbët.
Megjithatë, aktivistët e të drejtave të njeriut nga radhët e komuniteteve thonë se ende ka zyrtarë që në paraqitje publike përdorin shkurtesën raciste “RAE” – për romë, ashkalinj dhe egjiptianë – e cila për një kohë ishte përdorur edhe në dokumente të institucioneve lokale e ndërkombëtare.
Shkurtesa “RAE”, nga aktivistët e komuniteteve joshumicë cilësohet si mohim i identitetit, kulturës dhe historisë së tyre, pasiqë “RAE” i bashkon këto tre komunitete në një term të vetëm, duke mos i njohur identitetet e tyre unike.
Bleona Kurteshi, asistente në Fakultetin e Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, vlerëson se edhe pse Kosova ka bërë përparime në promovimin e të drejtave të njeriut dhe integrimin e grupeve të margjinalizuara, një sulm i tillë është tregues se paragjykimet etnike dhe racizmi strukturor vazhdojnë të mbeten të pranishme në shoqëri.
Për Kurteshin, ky sulm e reflekton racizmin si një problem strukturor dhe sistemik, ku komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian përballen me diskriminim të institucionalizuar në fusha si arsimimi, punësimi dhe qasja në shërbime publike.
“Trashëgimia e luftës dhe mungesa e edukimit mbi diversitetin dhe tolerancën kanë forcuar paragjykimet, duke krijuar barriera në ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse”, tha Kurteshi për Kallxo.com, duke shtuar se pavarësisht përpjekjeve për çrrënjosjen e diskriminimit, ligjet dhe politikat për mbrojtjen dhe të drejtat e komuniteteve të margjinalizuara ekzistojnë, por zbatimi i tyre shpesh mbetet i dobët.
Fajin, Kurteshi ia lë edhe vetëdijes publike për çështjet e barazisë dhe të drejtësisë sociale, që sipas saj është ende e kufizuar.
Rrënjët e racizmit strukturor
Sociologia Kurteshi thotë anipse Kosova ka shënuar përparime në promovimin e të drejtave të njeriut dhe integrimin e grupeve të margjinalizuara, sulmi i fundit në Ferizaj është tregues se paragjykimet dhe racizmi strukturor vazhdojnë të jenë të pranishëm në shoqëri.
“Ky sulm reflekton racizmin si një problem strukturor dhe sistematik, ku komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian përballen me diskriminim të institucionalizuar në fusha, si arsimimi, punësimi dhe qasje në shërbime publike”, ka thënë Kurteshi. “Këto pabarazi i bëjnë këto grupe të cenueshme edhe më të cenueshme ndaj dhunës dhe margjinalizimit”.
Ajo thotë se një faktor tjetër që i kontribuo racizmit është stigmatizimi dhe stereotipet kulturore që kanë zënë rrënjë të thellë në shoqërinë kosovare.
“Trashëgimia e luftës dhe mungesa e edukimit mbi diversitetin dhe tolerancën kanë forcuar paragjykimet, duke krijuar barriera në ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse”, ka thënë sociologia Kurteshi.
Ajo, sikur se edhe aktivistja dhe gazetarja e emisionit “Ora egjiptiane” në RTK, Nora Gjuzi, mendojnë se duhet të ketë edukim të mirëfilltë medial për ta çrrënjosur racizmin, që manifestohet më së shumti në komentet e lexuesve të mediumeve në platformat sociale.
“Deri tani, këto veprime i kemi lexuar nëpër rrjetet sociale, pra këto kanë qenë vetëm ‘komente’, të cilat kanë filluar të kthehen edhe në veprime”, ka thënë Gjuzi, e cila si pjesëtare e komunitetit egjiptian të Prizrenit multietnik ishte përballur me racizmin e shqiptarëve dhe joshqiptarëve në lagjen e saj shumetnike.
Madje, ajo i ka denoncuar jo vetëm si gazetare në emisionin e saj, por edhe në nivelet më të larta qeveritare rastet e mbishkrimeve raciste në muret e objekteve publike dhe të diskriminimit të nxënësve nga radhët e komuniteteve.
“Kjo u krijon ndjenjë pasigurie pjesëtarëve të komuniteteve të tjera, të cilat janë të pambrojtur dhe të cilët edhe ashtu deri tani kanë përjetuar një lloj diskriminimi në të gjitha aspektet jetësore, duke filluar nga ato më baziket”.
“Milionat e çuar kot”
Gjuzi, si në trajnime dhe në intervista, përsërit se sulmi i fundit ka fuqizuar bindjen e saj se po dështon trekëndëshi i familjes, institucioneve dhe shoqërisë civile.
“… dhe ky duhet të jetë një reflektim sidomos për ata të shoqërisë civile që deri tani kanë derdhur miliona duke zhvilluar aktivitetet e tyre ‘me një raport mujor në fund’ për ‘aktivitetet e tyre të suksesshme’….”, thotë Gjuzi.
Kështu u shpreh ajo, duke kërkuar që racizmi të luftohet në terren, me fushata vetëdijesimi për qytetarët e rëndomtë, sidomos në vendbanime multietnike, si “Sallahania”, ku jeton shumica prej mbi katër mijë pjesëtarëve të komuniteteve pakicë të Ferizajt.
Në kafenenë që ka hyrje-dalje edhe përgjatë “rrugës së Gremes” që mban emrin e aktivistit politik, Enver Topalli, të vrarë në Burgun e Dubravës në majin e vitit 1999, edhe përgjatë rrugës kryesore të lagjes që mban emrin e Ejup Statovcit, rektorit të ndjerë të kohës së demonstratave studentore të tetorit të vitit 1997, pronari ashkali, i kthyer para disa vitesh vullnetarisht nga Gjermania, thotë se “ai njeri (sulmuesi) është i lujtun o vëlla, se një njeri që ka Zot e moral, s’ka rëndësi a është shqiptar, rom a ashkali si unë, nuk e ban atahen edhe 100 mijë, edhe një milion euro me ia dhanë”.
“A e kishe ba ti?” – i drejtohet një punëtori shqiptar të kompanisë rajonale të mbeturinave, “Pastërtia”, i cili kishte ardhur për t’ia larë borxhin e makijatove. “Vallahi, kush është njeri, nuk e ban as për një milion euro”, ia then biondi me uniformë pune. “Po, ai (sulmuesi) kushedi çfarë t’kalune ka pasë. Vjet i kish pasë dekë nana e plus sa e kishin pas lëshu prej burgi”, ndërhyn kolegu i tij, shofer kamioni.
Naser Emini, burri që e çoi në spital mbesën e plagosur të kunatës, sikur se edhe Rexhep Bajrami, zyrtari komunal për komunitete, ngulmojnë që rasti nuk duhet të shfrytëzohet për ta fajësuar kolektivisht shumicën shqiptare.
“Kushedi çfarë të kaluar ka pasur ai, sepse njeri nuk e ban atë çmenduri pa lu mendsh”, thekson Bajrami.
Mungesa e njohjeve të ndërsjella kulturore
Elizabeth Gowing, këshilltare për komunitete e kryeministrit Albin Kurti, mendon se mungesa e tolerancës nuk është fenomen i përhapur në Kosovë.
“Rastet si ky janë tronditëse dhe shokuese”, thekson Gowing, e cila si aktiviste ishte marrë me promovimin e të drejtave dhe vlerave të komuniteteve pakicë në Kosovë.
“Megjithatë, kjo duhet të na rikujtojë rëndësinë për me punua edhe ma shumë me komunitetet pakicë, por edhe me komunitetin shumicë për një Kosovë sa më të shëndoshë, ku çdo fëmijë mundet me u ndi i lirë në rrugë. Duke e ditë që jemi për me besu dhe me mbrojtë njëri-tjetrin”, ka thënë ajo.
Në Raportin e Progresit për Kosovën 2024 të Komisionit Europian flitet pak për komunitetet. Aty, ndër të tjera thuhet se “gratë nga komunitetet – sidomos nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian vuajnë diskriminim të shumëfishtë, sidomos në lidhje me arsimin, punësimin dhe qasjen në shëndetësi”.
Pas sulmit në Ferizaj, edhe kryetari Agim Aliu ka thënë se është tronditur, duke dënuar sulmin. Por arrestimi i gabuar i një qytetari ferizajas që nuk kishte lidhje me sulmin në mbrëmjen e 11 nëntorit, ka nxitur përfaqësuesit e organizatës joqeveritare që të protestonin para stacionit policor të Ferizajt më 12 nëntor për dëmtim të imazhit të të arrestuarit gabimisht
Një zyrtar i lartë i Policisë për rajonin e Ferizajt ka thënë në kushte anonimiteti se “ky lëshim ndodhi për shkak të frikës së madhe se mund të kishte terror masiv” pasi sulmet ishin krye në tri lokacione të ndryshme brenda më pak se një ore.
Aktivisti Ilazi mendon se sulmi duhet të trajtohet si krim i urrejtjes dhe se duhet të bëhen ndryshime ligjore që do të ashpërsonin masat ndëshkuese për krime të motivuara mbi baza etnike e racore.
“Nuk fajësojmë askënd në mënyrë specifike, por konsiderojmë se është koha që institucionet tona të angazhohen në mënyrë më aktive në luftimin e antigjipsizmit dhe në promovimin e kulturës, traditave, historisë dhe vlerave të komuniteteve ashkali, egjiptian dhe rom”, thekson ai.
Ilazi thotë se është thelbësore për të luftuar paragjykimet dhe stereotipet dhe për të ndërtuar një shoqëri më të barabartë për të gjithë.