Agjencia e Statistikave të Kosovës ka angazhuar një ekspert të IT-së lidhur me procesin e regjistrimit të diasporës. Kontrata e tij do të jetë për një periudhë 12 mujore dhe do të paguhet 10 mijë e 800 euro.
Në dosjen e tenderit të publikuar në e-Prokurim thuhet se ky ekspert do të ketë një rol kyç në zhvillimin, mirëmbajtjen dhe avancimin e sistemeve digjitale të regjistrimit, duke përfshirë monitorimin e vazhdueshëm të funksionalitetit të sistemit, sigurimin e mbrojtjes së të dhënave personale dhe përpunimin e saktë të tyre.
Ai do të ndihmojë në përgatitjen e raporteve periodike dhe përfundimtare.
“Për të garantuar realizimin e suksesshëm të regjistrimit te diasporës, është thelbësore mbështetja teknike dhe ekspertiza në fushën e IT-së. Eksperti i angazhuar do të ketë një rol kyç në zhvillimin, mirëmbajtjen dhe avancimin e sistemeve digjitale të regjistrimit, duke përfshirë monitorimin e vazhdueshëm të funksionalitetit të sistemit, sigurimin e mbrojtjes së të dhënave personale dhe përpunimin e saktë të tyre. Gjithashtu, eksperti do të ndihmojë në përgatitjen e raporteve periodike dhe përfundimtare, si dhe në integrimin e të dhënave me burime të tjera për të siguruar përputhshmërinë dhe saktësinë e rezultateve përfundimtare”, është përshkrimi i përgjegjësive të tij.
Këto përgjegjësi i janë besuar Valon Bejtullahut, derisa nënshkrimi i kontratës ka qenë i planifikuar të bëhet sot.
Procesi i regjistrimit të diasporës do të zgjasë deri në fund të vitit dhe bëhet online përmes portalit eDiaspora.
Nga ASK vazhdimisht u kanë apeluar mërgimtarëve të regjistrohen.
Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave është zhvilluar në Kosovë nga 5 prilli deri më 24 maj.
Sipas të dhënave preliminare të publikuara në korrik, Kosova i ka 1.586.659 banorë rezidentë. Rezultatet e para përfundimtare pritet të publikohen pas një muaji, më 19 dhjetor./Reporteri.net