Policia gjyqësore federale e Brukselit ka sekuestruar rreth 5 tonë kokainë në kontejnerë në portin e Antwerpen në një hetim ndaj një organizate kriminale që trafikonte drogë në shkallë të gjerë.
Mediat vendase raportojnë se 8 persona u arrestuan lidhur me këtë ngjarje, si të përfshirë në këtë organizatë.
“Hetimi ka të bëjë me një organizatë kriminale që thuhet se është e përfshirë në importin dhe eksportin e kokainës në Belgjikë nga Amerika Jugore e Qëndrore dhe Kanadaja”, thotë Martin François, nga zyra e prokurorit publik të Brukselit.
Mediat e huaja, sipas gjetjeve fillestare, shkruan se organizata ishte aktive në portin e Antwerp-it, veçanërisht në lehtësimin e nisjes së kontejnerëve të dyshimtë dhe ofrimin e ndihmës logjistike për organizatat e tjera kundrejt një tarife.
Në fillim të këtij muaji, hetuesit e policisë gjyqësore federale të Brukselit kryen më shumë se tridhjetë kontrolle në Belgjikë dhe Holandë.
“Gjatë këtyre kontrolleve, u sekuestruan automjete, armë dhe mallra luksi si veshje, bizhuteri, çanta e ora, si dhe rreth 193,000 euro para të gatshme”, tha François.
Nga hetimet rezultoi edhe një sekuestrim i madh droge. 4780 ton kokainë u kapën në kontejnerë në portin e Antwerpen. Ndërkohë nga gjyqtari hetues janë arrestuar tetë persona të dyshuar.
“Ata janë akuzuar për import dhe eksport të drogës, në shoqëri dhe si anëtarë të një organizate kriminale”, tha François.
“Hetimi është ende në vazhdim dhe në interes të kësaj, zyra e prokurorit publik të Brukselit nuk do të bëjë komente të mëtejshme”, shtoi ai.
Në fillim të këtij viti, policia njoftoi ‘shfarosjen’ e një rrjeti të madh që transportonte kokainë të Amerikës Latine në Evropë me varkë, në një operacion ndërkombëtar që përfshin 50 arrestime në tetë vende.
Në të njëjtën kohë, autoritetet në Paraguaj njoftuan sekuestrimin më të madh të kokainës në historinë e vendit, pasi zyrtarët u befasuan kur gjetën më shumë se 4 tonë drogë të fshehur brenda një ngarkese sheqeri me destinacion Belgjikën.