Qeveritë e Bashkimit Evropian nuk mund të zgjedhin nëse do të ekzekutojnë urdhër-arrestet e lëshuara nga Gjykata Penale Ndërkombëtare kundër dy liderëve izraelitë dhe një komandanti të Hamasit, tha të shtunën shefi i politikës së jashtme të BE-së.
ICC lëshoi urdhrat të enjten kundër kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, ish-ministrit të tij të mbrojtjes Yoav Gallant dhe liderit të Hamasit Ibrahim Al-Masri, për krime të dyshuara kundër njerëzimit.
Të gjitha vendet anëtare të BE-së janë nënshkruese të traktatit themelues të ICC-së, të quajtur Statuti i Romës.
Disa shtete të BE-së kanë thënë se do të përmbushin angazhimet e tyre sipas statutit nëse është e nevojshme, por kryeministri hungarez Viktor Orban e ka ftuar Netanyahun të vizitojë vendin e tij, duke e siguruar atë se nuk do të përballet me rreziqe nëse do ta bëjë këtë.
“Shtetet që nënshkruan konventën e Romës janë të detyruara të zbatojnë vendimin e gjykatës. Nuk është fakultativ,” tha Josep Borrell, kryediplomati i BE, gjatë një vizite në Qipro për një seminar të aktivistëve të paqes izraelitë dhe palestinezë.
Të njëjtat detyrime ishin gjithashtu të detyrueshme për vendet që aspirojnë të anëtarësohen në BE, tha ai.
“Do të ishte shumë qesharake që të ardhurit të kenë një detyrim që anëtarët aktualë nuk e përmbushin,” tha ai.
Shtetet e Bashkuara hodhën poshtë vendimin e ICC dhe Izraeli tha se masa e ICC ishte antisemitike.
“Sa herë që dikush nuk pajtohet me politikën e një qeverie izraelite – (ata) akuzohen për antisemitizëm,” tha Borrell, mandati i të cilit si shef i politikës së jashtme të BE-së përfundon këtë muaj.