Siguria e Gjermanisë nuk është prioritet për Trumpin

by Merita

Qëndrimi i paparashikueshëm i Donald Trump-it u krijon shqetësime të mëdha politikanëve gjermanë. A do të shprehë ai sërish kritika të ashpra ndaj Gjermanisë, ashtu si edhe gjatë mandatit të tij të parë presidencial? A do të ankohet ai kundër NATO-s, e veçanërisht kundër partnerëve të tij europianë, apo madje mos vallë do të kërcënojë me daljen e vendit të tij nga aleanca?

Të gjitha këto është e vështirë të parashikohen – dhe në Berlin kjo krijon një lloj shqetësimi. Kur ministrja e Jashtme Annalena Baerbock pas fitores në zgjedhje i ofroi Trump-it “partneritet dhe miqësi”, në të përfshihej edhe dëshira për besueshmëri në kohë të vështira.

banner

Për Gjermaninë NATO është e domosdoshme

Që marrëdhëniet gjermano-amerikane qëndrojnë mbi një bazament solid, për këtë askush nuk ka dyshim në asnjërën anë të Atlantikut. Presidenti demokrat, Joe Biden e ka theksuar shpesh, që SHBA në rast të një sulmi “do të mbrojnë çdo centimetër të territorit të NATO-s”. Për anëtarët europianë të NATO-s kjo ka qenë një garanci qetësuese. Në rast konflikti Gjermania me ushtrinë e saj, Bundeswehr, me rreth 180.000 ushtare dhe ushtarë dhe e armatosur jo mjaftueshëm do të ishte në varësi të mbrojtjes elementare nga aleanca mbrojtëse.

Por nën republikanin Donald Trump do të vijë një erë e re krejt ndryshe sa në kohën e transatlantikasit të bindur Biden. Jo vetëm, që Europa në botëkuptimin gjeopolitik të Trump-it luan një rol sekondar, shumë pas Kinës dhe rajonit të Indo-Paqësorit, por Trump e konsideron edhe mbrojtjen e Evropës si një detyrë primare evropiane, e jo amerikane.

Evropa duhet të investojë më shumë për sigurinë e saj

Aktualisht SHBA paguan pjesën më të madhe në NATO dhe vë në dispozicion numrin më të madh të ushtarëve si dhe aftësitë thelbësore për zbulimin dhe logjistikën. Trump, që shpesh e ka cilësuar si shumë të kushtueshme për SHBA-në anëtarësinë në NATO-s, mund ta kufizojë ndjeshëm këtë angazhim.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, socialdemokrati Boris Pistorius reagoi menjëherë: “Ne europianët duhet të bëjmë më shumë për sigurinë tonë. Ne duhet të arrijmë të realizojmë një “burden sharing” (ndarjen korrekte të barrës)”, deklaroi ai pas fitores së Trump – duke u bërë thirrje kolegëve të tij nga Franca, Polonia, Britania e Madhe dhe Italia që të konsultohen për aftësitë mbrojtëse të Europës.

Për ta përmirësuar këtë pas fitores së Trump duket sot më emergjente se kurrë më parë – dhe Gjermania mund të luajë një rol drejtues në këtë drejtim. Por pikërisht tani Gjermania ndodhet në një krizë qeveritare, që po çon drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 23 shkurt. Prej kohësh ekspertët e sigurisë kërkojnë, që Europa duhet të jetë në gjendje pa SHBA-në që të realizojë operacione ushtarake.

Trump është i fokusuar tek paraja, shumë para dhe tek “deals”, gjithçka mund të jetë çështje pazaresh – këtë stil politik ka ndjekur ai gjatë mandatit të parë (2017-2021). Qysh atëherë ai rregullisht vërente, se sipas tij, shpenzimet gjermane për mbrojtjen janë shumë të ulëta. Gjermania i ka borxh NATO-s “shuma gjigante”, pretendonte Trump. Ish-kancelarja kristiandemokrate, Angela Merkel, reagonte e irrituar.

Mbrojtje vetëm me para?

Që Trump do ta shtrojë sërish temën e shpenzimeve të mbrojtjes, kjo pritet. Edhe gjatë fushatës elektorale ai vazhdimisht i referohej kësaj teme. Kush nuk përmbush objektivin e NATO-s “dy për qind”, pra dy për qind të produktit bruto në vend si investime për mbrojtjen, nuk do të mbrohet nga SHBA, gjëmonte republikani përpara mbështetësve që e brohorisnin.

Të tilla deklarata, sipas ekspertes së sigurisë Ulrike Franke nga European Council on Foreign Relations, janë të rrezikshme: “Vetëm një deklaratë e tillë e nënvleftëson NATO-n jashtë mase, sepse kredibiliteti i  NATO-s bazohet tek besimi që në aleancë njeri i vjen në ndihmë tjetrit”, thotë ajo për DW.

Edhe Stefanie Babst, ish-shefe e strategjisë në NATO, sheh me shqetësim drejt mandatit të dytë presidencial të Donald Trump: “Trump nuk e konsideron NATO-n si aleancë vlerash, por si një shoqatë shërbimesh.” Kush paguan, merr mbrojtje – ky qëndrim është “vërtetë helm për NATO-n”. Nga përçarja në NATO përfiton në fund presidenti rus Vladimir Putin, nënvizon ekspertja.

A do të ketë së shpejti një boshllëk në buxhetin gjerman për mbrojtjen?

A do ta humbiste Gjermania si një vend i ashtuquajtur “mosplotësues i detyrimit të pagesës” premtimin për mbrojtje nga SHBA nën administratën e re – pavarësisht se në të janë të dislokuara armët bërthamore amerikane për demonstrimin e forcës?

Sivjet qeveria gjermane për herë të parë pas dekadash shpenzoi dy për qind të produktit bruto në vend për mbrojtjen – duke e përmbushur detyrimin e vendeve anëtare të NATO-s. Megjithatë kjo u arrit vetëm falë të ashtuquajturit aset i veçantë (në fakt borxhe të reja) prej 100 miliardë eurosh për Bundeswehrin, që vuri në dispozicion qeveria pas sulmit rus ndaj Ukrainës.

Megjithatë: më 2026 ose 2027 ky fond do të jetë shpenzuar. Do të jetë detyrë e qeverisë së re për ta rritur afatgjatë buxhetin e mbrojtjes. Në rast të kundërt Gjermania sërish mund të bjerë nën kuotën e dy përqindëshit dhe të përballet me kritikën e aleatëve. Gjatë mandatit të parë presidencial Trump pati kërcënuar, se do të tërheqë një pjesë të trupave të SHBA-së të – si “sanksion” ndaj shpenzimeve të pakta për mbrojtjen, sipas tij.

Kërcënon fundi i mbështetjes së SHBA-së për Ukrainën

Një temë tjetër, që u krijon kokëçarje europianëve, është ndihma ushtarake për Ukrainën. Edhe në këtë drejtim SHBA është donatori kryesor pasuar nga Gjermania. Deklarimet e Trumpit lidhur me këtë temë të bëjnë të druash, se nuk do të ketë më ndihma të mëtejshme të SHBA-së.

Që europianët mund ta kompensonin këtë mungesë, për këtë ka dyshime ekspertja e sigurisë Ulrike Franke. Sipas saj më pak para nuk është aq problem, se sa mungesa e furnizimeve me armë. “Problematika sipas mendimit tim janë pajisjet ushtarake. Ne keto dy vjet e gjysmë kemi parë se si janë zbrazur arsenalet tona. Ajo që ne nuk e kemi bërë mjaftueshëm, është rritja e prodhimit tonë industrial.” Gjermania ndonëse e ka rritur ndjeshëm prodhimin e saj të armatimeve që nga fillimi i luftës së Ukrainës, kjo u nis nga një nivel fare i ulët, si me prodhimin e municioneve. 

Çfarë “deal-i” do t’i propozojë Trumpi Putinit?

Edhe deklarimi i zëshëm i Trumpit, se do t’i japë fund “në 24 orë” lufës në Ukrainë, shkakton irritime në Gjermani. Mund të ndodh, që Trump “të arrijë një deal të çfarë do lloji me Putnin – dhe europianët nuk do të jenë as unik sa duhet dhe as vërtetë në gjendje, që ta refuzojnë këtë deal”, tha Franke për DW. Ky është sipas ekspertes “një skenar horror”.

Nëse Trump përpiqet të arrijë një marrëveshje me Putin, me shumë gjasë Ukraina nuk do të jetë në tryezën e bisedimeve – dhe as Europa nuk do të jetë, hamendëson Thomas Kleine-Brockhoff, drejtor i Shoqatës gjermane për Politikën e Jashtme. Askush nuk do të dojë të pranojë, që të jetë i përjashtuar. Ndaj, propozimi i tij është, që vendet e mëdha europiane duhet të krijojnë një grup kontakti me Ukrainën, për të peshuar kushtet për një armëpushim – e kjo duhet bërë përpara se Trump të nisë mandatin më 20 janar./DW/ 

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy