Lideri i PSD-së, Dardan Molliqaj ka komentuar deklaratën e deputetit gjerman, Josip Juratoviç ku thotë se “Kurti dhe Vuçiq janë partnerë idealë për çështjen e Kosovës, vetëm shikoni si veprojnë e reagojnë“.
Molliqaj përmes një shkrimi në Facebook thotë se Juratoviç e paska kuptuar mirë “transversalen Kurti-Vuçiq”.
Molliqaj shtoi se ‘Kurti dhe Vuçiq janë armiqtë e nevojshëm për pushtetin e njëri-tjetrit’.
“E paska thënë shkoqur çfarë përsërisim ne këtu vazhdimisht: “Kurti dhe Vuçiq i shërbejnë njëri-tjetrit.
Të kundërtat puçen në nevojën e tyre për kontroll. Frika është ushqim për t’u kapërdirë kontrolli. Diktatura nuk është direkt urrejtje për njeriun – mizantropi. Ajo projekton rrezik dhe shtyp në emër të mbrojtjes.
Armiku është lënda e parë. Armiku duhet shquar nga larg. Kur nuk ka, e krijon nga hiçi. Kur nuk e krijon dot, e bën realitet armikun imagjinar. Një gjendje e luftës është gjithnjë suspendim demokracie. Kurti dhe Vuçiq janë armiqtë e nevojshëm për pushtetin e njëri-tjetrit”, tha Molliqaj.