Trupi Gjykues në Dhomat e Specializuara të Hagës ka vendosur që t’ia vazhdojë paraburgimin Ismet Bahtijarit më 26 Nëntor. Zëdhënësi i DhSK-së, Michael Doyle, ka thënë paraburgimi është vazhduar sepse është konstatuar që ende ekziston rreziku që të pengohet procesi i punës së Speciales.
“Më 26 nëntor, në çështjen Januzi dhe të tjerët, Trupi Gjykues I vendosi vazhdimin e paraburgimit të Ismet Bahtijarit, sepse konstatoi që ende ekzistojnë rreziqe që ai të pengojë ecurinë e procesit ose të kryejë vepra të tjera penale, dhe se këto rreziqe mund të zvogëlohen mjaftueshëm vetëm përmes kornizës për monitorimin e komunikimeve që zbatohet në objektin e paraburgimit të DHSK-së”.
“Sipas kornizës ligjore të DHSK-së, gjykatësit duhet të marrin në shqyrtim nëse paraburgimi është ende i përligjur çdo dy muaj”, thuhet në njoftim.
Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari u arrestuan më 5 tetor 2023 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të DHSK-së më 6 tetor 2023. Në paraqitjen e tyre të parë më 9 tetor 2023, si z. Januzi dhe z. Bahtijari u vetëdeklaruan të pafajshëm në lidhje me të gjitha pikat e Aktakuzës.
Haxhi Shala u arrestua më 11 dhjetor 2023 në Kosovë dhe u transferua në objektin e paraburgimit të DHSK- së më 12 dhjetor 2023.