Gjykimi ndaj dy zyrtarëve të Gjakovës, dëshmitarja thotë se është kërkuar leje nga Drejtoria e Urbanizmit për ndërtimin e objektit kolektiv

by Nexhat

Në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dëshmitarja Teuta Bakija tha të martën se burri i saj tani i ndjerë, kishte aplikuar për leje ndërtimi dhe se kishin dërguar dokumentet të cilat janë kërkuar nga Drejtoria e Urbanizmit.

Në këtë rast, Agron Gojani ish-arkitekt, tash bashkëpunëtor profesional në këtë drejtori po akuzohet se kishte aprovuar kundërligjshëm kërkesën për kushte ndërtimore, ndërsa Arben Bakalli, drejtor i Urbanizmit në Komunën e Gjakovës, akuzohet se e ka nënshkruar dhe lëshuar vendimin për të ndërtuar në kompleksin “Orize” në Gjakovë, në kundërshtim me planin urbanistik, raporton “Betimi për Drejtësi“.

banner

Bakija tha se personalisht nuk kishte shkuar në Drejtorinë e Urbanizmit, por që këto punë i kishte kryer burri i saj, tani i ndjerë. Tha se i qëndron pranë deklarimeve të dhëna në shqyrtimin e kaluar dhe në Prokurori.

Meqenëse kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Ilir Rashkaj, në seancën e kaluar kishte ndërprerë marrjen në pyetje të ekspertit Ismail Bahtiri, me qëllim që të sigurojë projektin e rreth-rrotullimit, e të njëjtin më pas t’ia dorëzojë Institutit për Shkencë dhe Teknologji (INSI) së bashku me pyetjet. Gjykata ka nxjerrë urdhrin për plotësimin e ekspertizës, por nuk ka arritur të kontaktojë me Institutin e as shoferi i gjykatës s’ka arritur ta dorëzojë në institutin e lartcekur.

Ndërsa, në seancën e sotme gjykata ka arritur të kontaktojë me institutin INSI dhe përfaqësuesi i të njëjtit tha se do të vijë në gjykatë dhe do të marrë urdhrin për plotësimin e ekspertizës.

Ndryshe, më 1 qershor 2021, Gjykata Themelore në Gjakovë e kishte dënuar me 1 vit e 3 muaj burgim dhe 3 mijë euro gjobë Arben Bakallin, për keqpërdorim detyre. Për veprën e njëjtë, Agron Gojani, ishte dënuar me 1 vit burgim dhe 2 mijë euro gjobë.

Ndaj të akuzuarve ishte shqiptuar edhe dënimi plotësues, ashtu që të dyve u ishte ndaluar ushtrimi i funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 2 vitesh, pas vuajtjes së dënimeve.

Mirëpo, më pas Gjykata e Apelit, e ka anuluar këtë aktgjykim dhe rastin e ka kthyer në rigjykim, me arsyetimin se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se si i tillë ndikon edhe në vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, e ngritur më 18 qershor 2020, Agron Gojani akuzohet se më 12 shkurt 2018, në cilësinë e personit zyrtar, arkitekt në Drejtorinë për Urbanizëm në Komunën e Gjakovës, kishte keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, duke tejkaluar kompetencat e tij me qëllim që t’i sillte dobi pasurore Teuta Bakijës, si dhe t’i shkaktonte dëm Komunës së Gjakovës

Sipas aktakuzës, ai këtë e kishte bërë në atë mënyrë që duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim dhe Udhëzimin Administrativ 06/2017, me të cilin edhe pse paraprakisht i kërkohej bashkimi i parcelave para fillimit të procedurave për leje ndërtimi, i akuzuari kishte aprovuar kërkesën për kushte ndërtimore, duke lëshuar vendim me të cilin kishte aprovuar kërkesën për ndërtimin e objektit kolektiv me etazhitet B+P+8+KSH në gjashtë parcela kadastrale të familjes Bakija, në kundërshtim me planin urbanistik “Revidimi i Kompleksit Orize 1/18 Gjakovë” të miratuar nga Kuvendi Komunal në Gjakovë. Aty thuhet se zona në fjalë, sipas projektit të komunës, ishte e paraparë të jetë zonë gjelbëruese gjatë gjithë segmentit rrugor deri tek tyrbja “Shën Shefqeti”.

Për këtë, Gojani akuzohet për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1, pika 2.1 të Kodit Penal.

Arben Bakalli akuzohet se më 12 shkurt 2018, në cilësinë e drejtorit në Drejtorinë për Urbanizëm në Komunën e Gjakovës kishte keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, duke tejkaluar kompetencat e tij me qëllim që t’i sillte dobi pasurore Teuta Bakijës, si dhe t’i shkaktonte dëm Komunës së Gjakovës

Sipas aktakuzës, ai këtë e kishte bërë në atë mënyrë që duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim, pasi kishte nënshkruar vendim mbi kushtet ndërtimore sipas kërkesës së 29 dhjetorit 2017 për ndërtimin e objektit kolektiv të lartcekur, më 28 mars 2018 kishte lëshuar vendimin për leje ndërtimore në kundërshtim me planin urbanistik.

Për këtë, ai akuzohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi. 1, pika 2.1 të Kodit Penal

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy