Seanca e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj Jeton e Nexhat Vllasaliut, të cilët po akuzohen për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi, është shtyrë pasi që i akuzuari Jeton nuk ka mundur ta japë mbrojtjen.
Kërkesën për shtyrje të seancës e ka bërë mbrojtësi i të akuzuarit Jeton Vllasaliu, avokati Ndrec Doda, i cili deklaroi se i mbrojturi i tij për shkaqe shëndetësore nuk mund të vazhdojë në dhënien e mbrojtjes, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Kërkesën e mbrojtjes e ka mbështetur edhe vetë i akuzuari Vllasaliu.
Pasi që për kërkesën për shtyrje të seancës nuk pati kundërshtime, kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Medie Bytyqi aprovoi kërkesën për shtyrje të seancës dhe të radhës e caktoi për një datë tjetër.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu ngarkohen me veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, paragrafi 1.6 dhe 1.4 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Në aktakuzë thuhet se prej periudhës 9 janar 2021 deri më 8 prill 2021, të pandehurit Vllasaliu në bashkëkryerjeje pas marrëveshjes paraprake, kishin filluar planifikimin për të privuar nga jeta të dëmtuarin Bedri Rexhepi, me qëllim të fitimit të dobisë pasurore
Të njëjtit, po ashtu ngarkohen me veprën penale “Dëmtim i varreve apo kufomave”, nga neni 413, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.